Bojkoti për rregulloren “paralizon” GJKKO-në/ Dështojnë 3 seanca, ja me sa janë gjobitur avokatët

Aktualitet

Bojkoti për rregulloren “paralizon” GJKKO-në/

Konflikti mes Gjykatës së Posaçme dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë për ndalimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit ka paralizuar prej më shumë se një muaji proceset gjyqësore. Vetëm këtë të hënë, tri seanca gjyqësore dështuan pasi avokatët mbrojtës janë në bojkot kundër rregullores së re, ndërsa GJKKO po i ndëshkon duke u përgjigjur me gjoba.

Në gjyqin ndaj ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe 20 të pandehurve të tjerë, gjykata vendosi gjoba me nga 50 mijë lekë të reja për avokatët mbrojtës që nuk u paraqitën në seancë.

Gjoba u vendosën edhe për avokatët që munguan në seancën për një nga fraksionet e dosjes së ish-presidentit Ilir Meta, ku të pandehur janë Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Secili prej avokatëve u ndëshkua me nga 20 mijë lekë të reja.

Ndërkohë, për të njëjtën arsye u shty sërish edhe gjyqi për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Seanca e radhës u caktua më 26 tetor, por ndryshe nga dy gjyqet e tjera, gjykata nuk vendosi gjoba ndaj avokatëve që munguan në procesin e aferës Partizani. Në sallë ishin të pranishëm Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja.

 Konflikti mes Gjykatës së Posaçme dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë nisi pas hyrjes në fuqi, më 1 shtator me firmë të Erion Banit, të rregullores së re që ndalon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit. Avokatët kundërshtojnë ndalimin, me argumentin se u pengon ushtrimin e profesionit, ndërsa gjykata këmbëngul se rregulli zbatohet për të gjithë, përfshirë gjyqtarët, prokurorët dhe gazetarët.

Dhoma e Avokatisë vendosi bojkotin pa afat të proceseve në GJKKO, vendim që më pas u shtri deri te masat e sigurisë. Ndërkohë, Dhoma e Avokatisë ka nisur të ndëshkojë avokatët që thyejnë bojkotin.

Avokatit Lefter Xhengo iu pezullua licenca për 2 vite, pasi mori pjesë në një seancë për masën e sigurisë në GJKKO për administratorin e inceneratorit të Elbasanit, Leli Kraja. Ndërsa avokati Jurgen Gjoci mori vetëm një vërejtje, pasi theu bojkotin për të mbrojtur Greta Gjocin, nënë të një foshnje tremuajshe, e cila kishte kërkuar shtyrje të ekzekutimit të dënimit me 6 vite e 8 muaj burg për mashtrim kompjuterik.

Rregullorja e GJKKO që ka sjellë bojkotin e avokatëve vetëm në këtë gjykatë, prek ushtrimin e profesionit të avokatit dhe të gazetarëve duke i ndaluar të përdorin celularët në seanca.

Situata në Gjykatën e Posaçme është kaotike. Prej 7 shtatorit kur ka nisur bojkoti i seancave, gjyqet janë shtyrë, ndërsa penalizmit nuk i kanë shpëtuar as të pandehurit, si në rastin e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj, të cilëve prej bojkotit të avokatëve, i janë pezulluar disa herë afatet e paraburgimit.

ME TE LEXUARAT