Pas tërmetit ngeli në mes të rrugës, 88-vjeçarja: Më kanë bërë biznesmene, nuk i di as kuptimin

Aktualitet

Pas tërmetit ngeli në mes të rrugës, 88-vjeçarja:

Haxhire Gurakuqi është 88-vjeç dhe prej një viti e gjysmë, ajo jeton në shoqatën humanitare “Strehë dhe shpresë”. Për 35 vitet e gjata të punës si ndihmës mjeke, e përkushtimin ndaj rritjes së djalit të vetëm, ky nuk është shpërblimi më i mirë, e as jeta që kish imagjinuar në pleqëri, por çatia mbi kokë i jep një lloj paqeje të munguar.

E ndarë nga i biri prej vitesh, shtëpia me qira ku jetonte në Laprakë u shemb prej tërmetit të 26 nëntorit të 2019-ës dhe e moshuara, mbeti e vetme në mes të katër rrugëve.

“Mbas tërmetit unë kërkova shtëpi me qira, por nuk gjeta kërkund. Kerkund nuk kishte. Kështu që u detyrova pastaj për në azil, por as atje nuk më pranuan. Kam fjetur në një ndërtesë që kishte vetëm tavanin lart; pa dyer, pa dritare, pa drita, pa ujë. Ku të shkoja? Kisha dhe frikë… Ishte ftohtë, ishte nëntor”, thotë e moshuara për “Vetting” teksa kujton ngjarjen.

Një mashtrim i bërë në emër të saj, bën që Haxhireja 88-vjeçare të figurojë me biznes në Lezhë.

“Atje ku bëhen kartat e identitetit, si duket këto janë të lidhura dhe kanë marrë emër dhe mbiemër të miat dhe kanë hapur një biznes në Lezhë. Unë nuk e di se nga bie rruga për në Lezhë, ndërkohë që më kanë bërë biznesmene atje. S’di çdo të thotë kjo fjalë”,shton më tej.


Fjala biznesmene është sa e panjohur për të, aq edhe shqetësuese. Prej letrave që e bëjnë të figurojë e tillë ajo nuk mund të përfitojë asnjë shërbim social.

Madje edhe ndihmën e vogël ekonomike që i dhanë shoqëria e vjetër, nuk mund ta tërheq në bankë, sepse siç i thonë, më parë duhen paguar tatimet e biznesit.

Drejtori i shoqatës, Hysni Kuka, thotë se sikur të gjitha këto mos të mjaftonin, për zonjën Haxhire, jo rrallëherë vijnë shkresa ligjore që e bëjnë me përgjegjësi për biznesin, për të cilat ajo as nuk di e as nuk mund të përgjigjet, citon ABC news.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion