Robert Duka mohon akuzat për grabitjen e Raiffeisen Bank: Nuk kam lidhje me ngjarjen, nuk jam dënuar kurrë

Aktualitet

Robert Duka mohon akuzat për grabitjen e Raiffeisen Bank: Nuk kam lidhje me
Robert Duka, 50-vjeçari i arrestuar si i dyshuar për grabitjen e një filiali bankar në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë.

Sipas gazetares, Anila Hoxha, Duka ka deklaruar para gjykatës se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar më parë dhe se nuk ka lidhje me grabitjen. Ai ka kundërshtuar edhe provat e paraqitura nga Prokuroria, duke pretenduar se automjeti që shfaqet në pamjet e kamerave të sigurisë nuk e implikon në ngjarje.

Ndërkohë, organi i akuzës ka kërkuar masën “arrest me burg”, duke argumentuar se ndaj 50-vjeçarit ekzistojnë prova të mjaftueshme që e lidhin me grabitjen e ndodhur më 2 nëntor në një bankë të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit. Sipas hetimeve, autori dyshohet se hyri i maskuar në bankë, kërcënoi punonjësit me një send që ngjante me armë zjarri dhe u largua me një monopatinë elektrike, pasi mori një shumë parash.

Policia e Tiranës e arrestoi Dukën pas operacionit të koduar “Gjuetari i Bankave”, ndërsa gjatë kontrolleve i janë sekuestruar 8 200 euro, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve, si dhe dy telefona celularë. Hetuesit dyshojnë se ai është autor edhe i një tjetër grabitjeje bankare të ndodhur në qershor të këtij viti, po në zonën e Komunës së Parisit. 

Sipas dosjes hetimore, identifikimi i të dyshuarit është bërë përmes metodave speciale të hetimit, analizimit të pamjeve filmike dhe sistemeve teknologjike që kanë mundësuar identifikimin e tij pavarësisht maskimit. Gjykata pritet të vendosë mbi kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë, ndërsa hetimet vijojnë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion