- Mbi 5 mijë viktima nga Ebola, frikë për përhapjen e epidemisë përtej Kongos

Bota

- Mbi 5 mijë viktima nga Ebola, frikë për përhapjen e
Epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka arritur përmasa alarmante, duke u shndërruar në shpërthimin më vdekjeprurës të regjistruar ndonjëherë në këtë vend. Sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve shëndetësore kongoleze, numri i rasteve të konfirmuara ka kaluar 11 mijë, me 11 042 të infektuar dhe 5 387 persona të vdekur. 

Shpërthimi shkaktohet nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola, një formë për të cilën aktualisht nuk ekziston një vaksinë apo trajtim specifik i miratuar. Virusi është përhapur tashmë në disa zona të vendit, duke prekur tetë nga 26 provincat e Kongos dhe duke rritur shqetësimet për zgjerimin e mëtejshëm të epidemisë. 

Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte ngritur më herët alarmin për situatën, duke e vlerësuar rrezikun si shumë të lartë për shkak të ritmit të përhapjes dhe vështirësive në kontrollin e virusit. Përpjekjet e ekipeve shëndetësore janë penguar nga konfliktet e armatosura, mungesa e aksesit në disa zona, infrastruktura e dobët dhe mosbesimi i komuniteteve ndaj autoriteteve shëndetësore. AP News.

Sipas mediave ndërkombëtare, epidemia ka kaluar edhe kufijtë e Kongos, me raste të raportuara në vende të tjera të rajonit, përfshirë Ugandën, Kenian dhe Nigerinë. Në Kenia, autoritetet njoftuan së fundmi se pacienti i fundit me Ebola është larguar nga spitali, duke nisur periudhën e monitorimit për shpalljen e përfundimit të shpërthimit atje. 

Ekspertët paralajmërojnë se situata në Kongo mbetet kritike, pasi përhapja vazhdon në një terren të vështirë për ndërhyrje dhe me një bilanc viktimash që e rendit këtë shpërthim ndër më të rëndët në historinë globale të Ebolës.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion