Dëshmia në Polici, ja kush është drejtuesi i Benz-it me xhama të zinj që s`iu bind thirrjes për të ndaluar

Zbardhet identiteti i drejtuesit të Benz-it që nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar duke rrezikuar efektivët gjatë operacionit të sotëm antidrogë, ku u sekuestruan 1 kg kokainë, ndërsa pati edhe një incident me gazetarin e News24 Ergys Gjençaj.
Mësohet se shoferi quhet Gazmend Cani, ndërsa mësohet se, i shoqëruar disa metra më tej vendit ku iu bë thirrje të zbriste nga makina dhe i marrë në pyetje nga policia, ai ka deklaruar se nuk ka ndaluar pasi u ndje i frikësuar. Ndërkaq policia po heton rolin e tij të mundshëm në aktivitetin kriminal.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, ku megjithëse iu bë thirrje disa herë për të ndaluar dhe zbritur nga makina tip “Benz” ai nuk u bind dhe u largua duke rrezikuar efektivët. Deri tani ai nuk del i implikuar në aktivitetin kriminal të trafikut të drogës.
Në njoftimin zyrtar Policia bëri me dije se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogramë e 128 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe ka shoqëruar disa persona.
Njoftim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë:
Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, mesditën e sotme zhvilloi një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet, për ta kontrolluar, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të hapur dyert e makinës dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Pas disa minuta ndjekjeje nga ana e Policisë, është bërë i mundur bllokimi i mjetit dhe ndalimi i drejtuesit të tij, i cili është i shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Nga ana e strukturave hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po shqyrtohen dhe analizohen veprimet e drejtuesit të mjetit dhe arsyeja e kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogramë e 128 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe ka shoqëruar disa persona.
Operacioni është në vijim dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore do ketë një deklaratë përfundimtare për median dhe publikun.
Ndërkohë, nga ana e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është duke u verifikuar respektimi i proceduarave gjatë ndërhyrjes në operacion, si dhe lidhur me incidentin e ndodhur me gazetarin e TV Neës 24, z.Ergys Gjençaj.
Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për të goditur çdo paligjshmëri, për të garantuar transparencë dhe siguruar mediat të kryejnë rolin e tyre. Asnjë incident i izoluar nuk do të ndikojë në këtë angazhim, për më shumë siguri për qytetarët./fax



