Aksident i rëndë në bypass-in e Lushnjës, mjeti përplaset me murin e biznesit

Një aksident rrugor është regjistruar pranë rrethrrotullimit të Plukut, në bypass-in e autostradës në Lushnjë, ku një automjet tip “Ford” ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin e një biznesi.
Si pasojë e përplasjes, automjeti ka rrëzuar edhe një shtyllë ndriçimi, ndërsa pas disa rrotullimeve ka përfunduar i përmbysur anash.
Drejtuesi i mjetit është transportuar me ambulancë drejt spitalit të Lushnjës, ku po merr ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Qarkullimit, të cilat po punojnë për dokumentimin e aksidentit dhe menaxhimin e trafikut. Ndërkohë, policia shkencore po kryen ekspertizën për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se drejtuesi i automjetit po lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me objektet në anë të saj.


