Skema e dyshuar e vje'dhjes në Postën e Durrësit, 700 mijë euro të zhdukura, hetimet çojnë drejt deputetes Etleva Budini

Aktualitet

Skema e dyshuar e vje'dhjes në Postën e Durrësit, 700
Prokurori i Durrësit, Gazmend Frëngu, e kuptoi shumë shpejt që ajo që nisi si një histori ordinere vjedhjeje brenda Filialit të Postës Shqiptare në Durrës, ishte një skemë shumë më e zgjeruar, e zgjatur ndër vite dhe me përfshirjen e një numri të konsiderueshëm personash.

Në Korrik 2026, pas hetimeve të kryera prej tij, fillimisht u vendos nën arrest shtëpie drejtoresha e Postës, Elisabeta Mataj, e dyshuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Më tej, u arrestua bashkëshorti i saj, Fetah Mataj, i dyshuar për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Për prokurorinë e Durrësit, burri i drejtoreshës kishte krijuar një sistem paligjshmërie, nëpërmjet të cilës “gjobiste” nga 40 mijë deri në 100 mijë lekë në muaj drejtuesit e degëve të ndryshme të Postës.

Të gjendur nën këtë goditje të rëndë penale, dy bashkëshortët Mataj kanë vendosur të reagojnë në mënyrën që e kanë vlerësuar më të mirën për ta. Elisabeta Mataj ka mohuar që të jetë përfshirë në vjedhje. Madje, ajo ka deklaruar se është përpjekur që t’i vendos kufi një sistemi vjedhjeje, të krijuar ndër vite në filialin e Postës Shqiptare.

Shigjetat e saj drejtoreshin tek paraardhësja, Etleva Budini, sot deputete e Partisë Socialiste, si edhe tek bashkëshorti i saj, Boge Budini, një funksionar i rëndësishëm në Policinë e Shtetit, aktualisht drejtor i Kufirit dhe Emigracionit në Policinë e Tiranës.

Burime nga Prokuroria e Durrësit deklaruan se Fetah Mataj, madje, është përplasur me prokurorin e çështjes gjatë një seance gjyqësore, ku i ka kërkuar me ashpërsi se përse nuk e zgjeron hetimin për vjedhjet e pretenduara në vitet 2020-2025, kur Filiali i “Posta Shqiptare” në Durrës është drejtuar nga Etleva Budini.

Natyrisht, i arrestuari Fetah Mataj nuk ishte në dijeni të veprimeve që po kryheshin në mënyrë sekrete nga prokurori Frëngu. Përgjatë 4 muajsh hetime, prokurori ka krijuar bindjen se vjedhja e rreth 700 mijë eurove mund të jetë maja e ajsbergut e një skeme që mund të arrijë vlera shumë më të larta.

Ilia Ilia, avokati i Elisabeta Mataj, deklaroi pak ditë më parë se shifra e vjedhur ndër vite në filialin e Durrësit shkon në të paktën 3.6 milionë euro. Deklarimet e avokatit vlerësohen me rezervë, pasi ai është në rolin e tij funksional.

Megjithatë, shumë gjëra mbeten për t’u sqaruar, pasi vetë prokurori i çështjes kërkoi që gjykata e Durrësit të shpallë moskompetencën dhe rasti të hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për veprën penale të “grupit të strukturuar kriminal”.

Jo vetëm kaq. Prokuroria e Durrësit dyshon se në skemë është përfshirë një zyrtare me mandat deputeti, Etleva Budini. Dhe kjo ishte një arsye më shumë që çështja të kalojë për hetim në Prokurorinë e Posaçme.

“Skema shkon lart”

Në rutinën e proceseve gjyqësore ndodh rëndom që personat e akuzuar për kryerjen e veprave penale t’ua ngarkojnë përgjegjësinë individëve të tjerë, në përpjekje për të shfajësuar pozicionin e tyre.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur me bashkëshortët Elisabeta e Fetah Mataj. Gjatë pyetësorit në prokurori dhe në seancat gjyqësore, ata kanë deklaruar se “skema e vjedhjes” ka ekzistuar prej vitesh në filialin e Postës në Durrës.

Madje, siç pretendojnë burimet e Prokurorisë ata kanë deklaruar se sistemi i vjedhjes është mbuluar shpesh edhe nga “lart”, duke iu referuar Drejtorisë së Përgjithshme të Postës, në Tiranë.

Në pretendimet e përmendura në aktet hetimore thuhet se ish-drejtuesja dhe punonjësit e Postës nuk kanë arkëtuar në institucionet përkatëse shuma të konsiderueshme, të cilat mblidheshin nga arkëtimet për shërbime të ndryshme, përfshirë pagesat për legalizimet, pagesat për kopshtet e çerdhet, për Hipotekën, gjobat e automjeteve, e të tjera të ngjashme.

Po sipas pretendimeve të paraqitura gjatë procesit hetimor në Durrës, mungesat e konsiderueshme në arkën e Postës së Durrësit mbuloheshin në mënyrë “diskrete” nga të ardhurat e Drejtorisë së Përgjithshme të Postave, në “një manovër për të fshehur” atë që ndodhte në filialin e drejtuar nga Etleva Budini.

Bashkëshortët Mataj janë të bindur se veprimtaria e paligjshme e ish-drejtoreshës Budini mbulohej nga bashkëshorti i saj, Boge Budini, funksionar i rëndësishëm në Policinë e Shtetit.

Natyrisht, të gjitha këto deklarime janë, për momentin, vetëm pretendime të dy personave të ngarkuar me përgjegjësi penale. Vërtetësia e tyre është ende herët të provohet ose të rrëzohet.

Aktualisht, hetimet po udhëhiqen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Fundjavën e kaluar, Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencën për dosjen hetimore, e cila e ka zanafillën në qershor të këtij viti.

 Etleva Budini: Mos i jepni lekë Fetahut

Një përplasje e brendshme mes drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe shefes së Financës, Valbona Duni, nxiti një kontroll financiar të Drejtorisë së Përgjithshme të Postës në filialin e saj në Durrës.

Punonjëset kishin njoftuar eprorët e tyre, si edhe i kishin dërguar një mesazh kryeministrit Edi Rama, për shkeljet e pretenduara në zyrat e tyre. Kontrolli financiar dhe më tej hetimi penal i Prokurorisë së Durrësit krijuan dyshimet se nga arkat e Postës ishin vjedhur të paktën 700 mijë euro.

Pas këtij konstatimi, gjykata e Durrësit pranoi kërkesën e prokurorisë dhe caktoi masat e “arrestit në shtëpi” për drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, shefen e Financës, Valbona Duni dhe një punonjësve tjetër, Paola Dana.

Pas zbërthimit të telefonave të tyre, Prokuroria e Durrësit krijoi dyshimet se bashkëshorti i drejtoreshës, shtetasi Fetah Mataj, i kërcënonte punonjëset me vendin e punës, nëse ato nuk i dorëzonin shuma të ndryshme monetare në formën e “gjobës”.

Disa nga punonjëset që kanë dhënë deklarimet në Prokurorinë e Durrësit thanë se ato kanë qenë shumë të shqetësuara për këtë “gjobvënie”. Madje, disa prej tyre kanë deklaruar se “kemi folur me ish-drejtoreshën, Etleva Budini, e cila na ka thënë që të mos i japim para Fetahut”.

Në aktet e konsultuara nuk jepen detaje shteruese se përse ish-vartëset e saj në Postë ankoheshin tek Etleva Budini. Ndoshta e kanë menduar si një “derë” ku të ankoheshin për situatën, nisur edhe nga fakti që tashmë ish-drejtoresha ishte veshur me mandatin e rëndësishëm politik të deputetit../Boldnews.al/

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion