Aksident fatal në aksin rrugor Fushë-Krujë–Thumanë, 19-vjeçari përplas për vdekje këmbësorin

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak më parë në autostradën Thumanë–Fushë-Krujë, në afërsi të Luzit.
Paulin Filopati, nga Mirdita, i cili po kalonte rrugën, është goditur nga një automjet tip ‘Mercedes’, që drejtohej nga Floxhen Bardhi.
Si pasojë, 65-vjeçari ka ndërruar jetë në vend. Për mrekulli ka shpëtuar e shoqja, e cila ndodhej vetëm një hap larg tij.
Paraprakisht, dyshohet se shkak i aksidentit të jetë kalimi i pakujdesshëm i rrugës nga këmbësori, si dhe shpejtësia e madhe e automjetit që po drejtonte Bardhi.
Njoftimi i policisë:
Krujë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:10, në aksin rrugor “Fushë-Krujë–Thumanë”, automjeti me drejtues shtetasin F. B., rreth 19 vjeç, ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin P. F., rreth 65 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.


