Çfarë zhvillimesh prodhoi sot Asambleja e PS, nga përjashtimi i Spiropalit dhe Ndrecës, te amnistia për Veliajn

Socialistët kanë mbledhur këtë të shtunë Asamblenë Kombëtare, e cila që në nisje të saj, rezervoi një surprizë, ku kryeministri Edi Rama kërkoi që pjesa e parë ndryshe nga sa ishte parashikuar, të mbahej pa praninë e kamerave.
Kjo pjesë duket të ketë qenë dhe më interesantja sa i takon zhvillimeve, pasi për herë të parë, kryeministri ka pasur një përballje direkte me Elisa Spiropalin, pasi kjo e fundit ka shprehur rezerva të vazhdueshme për drejtimin e Partisë Socialiste.
Burime bëjnë me dije për SHEKULLI-n se dhe në mbledhjen e sotme, Spiropali ka mbajtur një fjalim kritik ndaj Ramës, dhe fill pas kësaj, kreu i qeverisë i ka kërkuar asamblesë që në fund të mbledhjes së sotme, të hedhë në votim kërkesën e tij për përjashtimin e saj nga Partia.
Por Spiropali nuk ka qenë viktima e vetme e kësaj të shtune… Rama ka kërkuar gjithashtu përjashtimin nga Partia të Plarent Ndrecës, aktualisht avokat mbrojtës i Veliajt, dhe ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Rama duket se nuk e ka kaluar lehtë qëndrimin që ka mbajtur prej më shumë se dy javësh, Ndreca, kundër vendimin për të transferuar Erion Veliajn në burgun e Fierit. Vetë Veliaj është amnistuar prej Ramës, me pretendimin se ai i ka duart e lidhura, duke iu referuar faktit që ndodhet në qeli.
Sa i takon fjalimit të hapur të tij, Rama u ndal te e njëjta retorikë që ka përdorur prej disa muajsh, që prej duart e huaja që kanë ndërhyrë në protestat e përditshme, te ndarja mes pushteteve, dhe moscënimi i punës së drejtësisë.


