Pse konsiderohet e premtja data 13 ditë ters? Katër ngjarjet që tronditën Amerikën

Bota

Pse konsiderohet e premtja data 13 ditë ters? Katër ngjarjet që
Për të gjithë ata që besojnë tek bestytnia që vjen nga një legjendë e vjetër se e Premtja e datës 13 është një ditë tersi, dje ishte rasti perfekt për ta besuar. Në të vërtetë katër ngjarje të pazakonta ndodhën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këto mjaftuan për të shpërthyer në rrjete sociale teoritë konspirative.

Përplasja e tanker-it në New Orleans, ndalimi i fluturimeve në SHBA, shpërthimi i Starship i SpaceX dhe stuhia e fortë që goditi qytetet nga Philadelphia, në New York e Boston shkaktuan frikë dhe pasiguri te miliona qytetarë amerikanë. Fatmirësisht asnjë nga këto ngjarje nuk shkaktoi viktima. Sekretari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, Markwayne Mullin tha në një konferencë për shtyp: “Falë hirit të Zotit, nuk humbëm asnjë jetë”.

Përplasja në New Orleans

Tanker-i Atlantic Asphalt humbi kontrollin dhe u përplas me anijen turistike American Heritage që ishte e ankoruar në lumin Mississippi. Anija turistike u fundos dhe pasagjerët ranë në ujë. Në bordin e anijes ndodheshin 190 njerëz. Të gjithë u shpëtuan, vetëm 32 prej tyre u transportuan në spital, por askush nuk ishte në gjendje kritike për jetën. Kryetarja e bashkisë e quajti ngjarjen “Mrekullia në Mississippi”.

Anulimi i fluturimeve

Nuk kishte ndodhur prej 11 Shtatorit, por Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi dje në mënyrë të papritur ndërprerjen për rreth 4 orë e 21 minuta të të gjitha fluturimeve ajrore. Mbi 11.000 fluturime ajrore në SHBA u anuluan. Ngjarja mori menjëherë vëmendjen e medias ndërkombëtare, në rrjet u fol për një sulm kibernetik, por në fakt duket se bëhej fjalë për një defekt të pajisjeve të vjetra.

Shpërthimi i Starship i SpaceX

Në orën 16:47 në Teksas, SpaceX lëshoi fluturimin e 15-të të Starship. 3 minuta pas nisjes, raketa 124 metra e gjatë u nda në dy pjesë, anija që vazhdoi lart dhe boosteri që duhej të binte dhe të rikthehej në kullë. Por sistemet e sigurisë konstatuan një defekt, që do ta bënte rikthimin e booster-it të pasigurt në kullë. Për këtë arsye, SpaceX e devijoi rënien e booster-it në Gjirin e Meksikës, i cili shpërtheu në ajër vetëm pak metra para se të binte në det. Në rast se booster-i do të shpërthente në kullën e SpaceX nga ku ishte nisur, do të kishte humbje jete njerëzish, do të shkaktoheshin dëme miliarda dollarëshe të sistemeve kompjuterike në kullë dhe gjithashtu do ta bënte të pamundur funksionimin e SpaceX për të paktën një muaj.

Stuhia bregdetare

Stuhia e fortë bregdetare “Nor’easter”, e cila vinte nga Oqeani Atlantik, goditi bregun lindor të SHBA-ve. U prekën qytetet nga Philadelphia në New York e Boston. Breshër, borë, vetëtima dhe erë e fortë. Në New Jersey pati dhe tornado. U përmbytën rrugë dhe 11.000 shtëpi mbetën pa energji elektrike. Por për fat të mirë, nuk pati asnjë viktimë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion