“Unë për ty kam qenë Skënderbeu, ti për mua Mamica”, Rama-Spiropali, përplasje në Asamblenë e PS-së

Detaje të reja janë zbuluar nga diskutimet mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku në fokus ka qenë marrëdhënia mes tyre dhe qëndrimet e ish-ministres ndaj disa zhvillimeve brenda qeverisë.
Mesohet se gjatë diskutimit me dyer të mbyllura, Rama i është drejtuar Spiropalit duke përdorur një referencë historike, përmes së cilës ka kujtuar raportin e mëparshëm mes tyre dhe i ka përcjellë një mesazh për qëndrimet e saj publike.
“Unë për ty kam qenë Skënderbeu, ti për mua Mamica, por nuk mund t’i gjuash shtëpisë me gur”, mësohet të ketë thënë Rama.
Kryeministri, përmes kësaj deklarate, duket se i ka kujtuar Spiropalit mbështetjen dhe raportin politik që kanë pasur ndër vite, duke i kërkuar të mos mbajë qëndrime që, sipas tij, cenojnë vetë familjen politike ku ajo bën pjesë.
Nga ana tjetër, Elisa Spiropali i është përgjigjur duke theksuar se nuk ka qenë kundër qëndrimeve të kryetarit të Partisë Socialiste, por se kritikat e saj kanë pasur të bëjnë me mënyrën se si janë përzgjedhur disa prej ministrave të kabinetit qeveritar.
“Kryetar, unë jam dakord me qëndrimet e tua, por kam ngritur zërin për disa ministra të caktuar, si janë zgjedhur”, mësohet të jetë shprehur Spiropali.
Përgjigjja e saj, sipas raportimit, sugjeron se pakënaqësitë nuk kanë qenë të orientuara ndaj gjithë linjës politike të kryeministrit, por ndaj mënyrës së përzgjedhjes së disa emrave në qeveri.
Biseda mes Ramës dhe Spiropalit është një tjetër episod nga diskutimet e brendshme të Asamblesë, e cila u shoqërua me zhvillime dhe debate për organizimin e Partisë Socialiste. Ndërsa kërkesa e Ramës për përjashtimin e Spiropalit nuk u hodh në votim, mbetet për t'u parë nëse raporti mes tyre dhe qëndrimet e saj do të marrin një drejtim të ri në vijim.

