40 minuta në SPAK, çfarë deklaroi deputetja socialiste Sara Mile pas daljes?

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mile, ka reaguar për mediat pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku u paraqit për të dhënë dëshminë e saj.
Mile deklaroi se është paraqitur si person në dijeni dhe se ka dhënë dëshminë, ndërsa theksoi se çështja është nën sekret hetimor.
Ajo u shpreh se paraqitja në organet e drejtësisë lidhet edhe me përgjegjësinë publike dhe politike, duke kundërshtuar akuzat dhe sulmet që, sipas saj, janë bërë ndaj saj nga politika e vjetër.
“Shumë baltë është hedhur mbi mua nga aparatet e politikës së vjetër. Kam përshtypjen që ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës së politikës së vjetër do të përfundojë”, deklaroi Mile.
Deputetja shtoi se do të jetë e gatshme të paraqitet sa herë që SPAK dhe organet e drejtësisë të kenë nevojë për dëshminë e saj, duke theksuar se beson te ligji.
Sara Mile: Dua vetëm t'ju theksoj se në organet e drejtësisë nuk vihet vetëm për ato që ju i keni me shumë qejf t'i deklaroni, po në fakt vihet edhe për një përgjegjësi publike, një përgjegjësi politike.
Shumë baltë është hedhur mbi mua nga aparatet e politikës së vjetër. Kështu që pa diskutim, ky është edhe një moment shumë i mirë për të treguar dinjitetin tim.
Ka një sekret hetimor, jam person në dijeni, kam dhënë dëshminë time, dhe kam përshtypjen që ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës së politikës së vjetër do të përfundojë.
Sa herë SPAK dhe organet e drejtësisë të kenë nevojë për dëshminë time, për fjalën time, edhe në respekt të besimit të gjithë qytetarëve të Elbasanit, do të jem këtu sa herë që të jetë e nevojshme.
Si një person që beson mbi ligjin, mbi çdo gjë tjetër. Faleminderit, se po më presin qytetarët e Elbasanit për ditën e çlirimit.


