Zemra gjithmonë me Shqipërinë/ De Biasi, intervistë në Itali: Me kuqezinjtë bëmë mrekullinë

Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, është rikthyer të flasë për një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij, aventurën me kuqezinjtë dhe kualifikimin historik në Kampionatin Evropian të vitit 2016.
Në një intervistë për median italiane “Tuttomercatoweb”, tekniku italian ka zbuluar edhe prapaskenat e ardhjes së tij në krye të Shqipërisë, duke treguar se fillimisht nuk ishte i bindur për ta pranuar këtë sfidë.
De Biasi ka rrëfyer se pas një eksperience zhgënjyese te Udinese kishte vendosur të mos vazhdonte më karrierën në futbollin italian. Në atë periudhë, interesim për të kishte shfaqur edhe Lecce, që e kërkonte në Serinë A, por trajneri vendosi të respektonte fjalën e dhënë ndaj drejtuesve shqiptarë.
“Kam pasur një eksperiencë zhgënjyese te Udinese dhe thashë se nuk dua të punoj më në Itali. Më pas mora ofertën nga Shqipëria. Lecce më kërkonte në Serinë A, por vendosa të mbaja fjalën e dhënë. Në fund arritëm marrëveshjen dhe nisa rrugëtimin si trajner i Kombëtares”, ka treguar De Biasi.
Një pjesë të rëndësishme të suksesit, italiani ia atribuon edhe afrimit të futbollistëve shqiptarë nga Kosova, në një periudhë kur përfaqësuesja kosovare ende nuk ishte njohur nga FIFA.
Sipas tij, ardhja e këtyre lojtarëve rriti jo vetëm numrin, por edhe cilësinë e skuadrës, ndërsa njëkohësisht ndihmoi në krijimin e besimit se Shqipëria mund të arrinte diçka të jashtëzakonshme.
“Arrita të sillja në Kombëtare futbollistët kosovarë, të cilët ende nuk njiheshin nga FIFA. U rritëm në numër dhe në cilësi. Ia dola t’u fusja në mendje idenë se mrekullia ishte e mundur. Kulmi erdhi me kualifikimin në Euro 2016”, është shprehur ish-trajneri kuqezi.
De Biasi drejtoi Shqipërinë nga viti 2011 deri në vitin 2017, duke regjistruar 19 fitore, 10 barazime dhe 22 humbje në 51 ndeshje. Megjithatë, emri i tij do të mbetet i lidhur përjetësisht me arritjen e madhe të futbollit shqiptar: kualifikimin për herë të parë në një Kampionat Evropian.
Në Francë, Shqipëria regjistroi edhe fitoren historike 1-0 ndaj Rumanisë, me golin e Armando Sadikut, duke i dhuruar vendit një nga momentet më të paharrueshme të historisë sportive.
#DeBiasi#shqiperia


