Vijon e tensionuar situata në Ministrinë e Arsimit, përplasje fizike mes policisë dhe protestuesve, shoqërohen disa persona

Studentët kanë mbajtur këtë të martë protestën e thirrur përpara Ministrisë së Arsimit.
Tensionet nuk kanë munguar, me protestuesit që menjëherë kanë nisur të gjuajnë me vezë dhe të ngjyrosin me sprej muret e godinës.
Por kjo nuk ishte gjithçka, menjëherë ata kanë shkulur kangjellat e hekurta që ndodheshin në trotuar dhe tullat, duke i hedhur në drejtim të godinës dhe duke thyer xhamat e dritareve. Më pas ata u futën brenda rrethimit të godinës, teksa kanë bërë thirrje “Digje, digje”..
Pas kësaj, ata tentuan të shqyenin derën e hekurtit dhe të futeshin brenda në godinë. Ndërkohë kanë hedhur edhe flakadanë.
Policia ka ndërhyrë duke krijuar një kordon, teksa deri më tani një prej protestuesve është arrestuar.
Më pas autoboti i ujit ka ndërhyrë me presion uji, teksa edhe një protestuese ka mbetur e lënduar pasi ishte e gjakosur në kokë.


