Vidhen mbi 300 dosje të grupeve kriminale në Itali, më pas dalin në shitje

Drejtoria e Hetimit Antimafia në Itali (DIA) dyshohet se është goditur nga një sulm kibernetik, gjatë të cilit mund të jenë vjedhur qindra dosje që përmbajnë informacione tepër të ndjeshme për hetimet ndaj krimit të organizuar.
Sulmi është marrë përsipër në rrjetet sociale, ku është paraqitur si një rrjedhje e të dhënave, e njohur si “data leak”. Sipas pretendimeve të autorëve, të cilat ende nuk janë verifikuar, nga sistemet informatike të DIA-s janë marrë mbi 300 dosje arkivore, përfshirë materiale për grupe kriminale me interes për Europolin.
Të dhënat pretendohet se janë nxjerrë në shitje në dark web.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse janë vjedhur realisht të dhëna nga sistemet e Antimafias italiane dhe, nëse po, çfarë informacionesh përmbajnë ato. Nuk dihet as se kur mund të ketë ndodhur sulmi i dyshuar apo nëse ka lidhje me sulmet e tjera kibernetike të regjistruara gjatë javëve të fundit.
Rasti pritet të diskutohet të martën, më 10 nëntor, në mbledhjen e Komitetit Kombëtar për Rendin dhe Sigurinë Publike, të thirrur në Ministrinë e Brendshme italiane nga ministri Matteo Piantedosi.
Hakerët godasin edhe një organizatë që heton mafian
Ndërkohë, një tjetër sulm kibernetik ka goditur faqen Legalietica.org, median e Observatorit për Fenomenin Mafioz, me seli në Quarto d'Altino, në zonën e Venecias.
Faqja u sulmua më 5 nëntor, së bashku me portale të tjera që përdornin të njëjtën platformë informatike. Lajmi u bë i ditur nga Gianluca Prestigiacomo, president i shoqatës dhe drejtor i medias. Observatori është i specializuar në monitorimin e infiltrimit të mafias në verilindje të Italisë dhe në trafikun e armëve.
Në një deklaratë për Vicenza Today, Prestigiacomo shpjegoi se sulmi kishte shkaktuar fshirjen e arkivit të publikuar në faqen e internetit.
“Ne publikojmë analiza, materiale të thelluara dhe investigime mbi mafian, krimin ekonomik, politikën dhe lirinë e informacionit. Komprometimi i sistemeve të sulmuara solli fshirjen e arkivit editorial të faqes, i cili më pas u rikthye përmes një kopjeje të mëparshme, deri më 9 gusht 2026. Redaksia ruan gjithsesi të gjitha tekstet origjinale”, deklaroi ai.
Sipas Prestigiacomos, sulmi ndodhi në të njëjtën periudhë kur disa vende europiane u përballën me sulme informatike ndaj sistemeve të ftohjes komerciale.
“Hipoteza që ngjarjet që po shqyrtohen aktualisht nga autoritetet të jenë pjesë e një plani të përbashkët duhet të vlerësohet”, tha ai.
Sulmi është denoncuar në Prokurori, ndërsa është njoftuar edhe Drejtoria e Antimafias për rajonin e Venetos.
Italia përballë rritjes së sulmeve kibernetike, 42% më shumë se një vit më parë
Sulmet informatike po shtohen në mbarë botën, por Italia renditet ndër vendet më të ekspozuara, me një rritje prej 42% krahasuar me një vit më parë. Sektorët më të rrezikuar janë administrata publike, shëndetësia, industria prodhuese dhe kompanitë teknologjike.
Sipas analizave të ekspertëve të sigurisë kibernetike, ndër dobësitë kryesore që shfrytëzojnë hakerët janë fjalëkalimet e dobëta, konfigurimi i pasaktë i aksesit në distancë dhe të dhënat e hyrjes në postën elektronike.
Këto janë disa nga problemet që pritet të diskutohen në mbledhjen e Komitetit Kombëtar për Rendin dhe Sigurinë Publike, ku ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi do të kërkojë një analizë të rreziqeve për sigurinë publike pas sulmeve dhe kërcënimeve të javës së kaluar.
Vlerësimi do të mbështetet te raporti më i fundit i ekipit të reagimit ndaj incidenteve të sigurisë informatike, pranë Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, që monitoron çdo muaj kërcënimet dhe incidentet në rrjet.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e të ashtuquajturve “ujqër të vetmuar”, hakerë që nuk janë pjesë e ndonjë grupi të organizuar, por që mund të depërtojnë në sistemet informatike të sektorëve strategjikë vetëm për të imituar sulme të tjera.
Sipas vlerësimeve, rreziku nga këta individë është veçanërisht i lartë në këtë periudhë, pasi veprimet e tyre mund të shkaktojnë dëme serioze.
Nga supermarketet te alarmet për bomba në avionë, policia heton sulmet
Një nga objektivat kryesore të mbledhjes së së martës do të jetë identifikimi i dobësive në sistemet informatike dhe marrja e masave urgjente për forcimin e sigurisë. Në të njëjtën kohë, do të shqyrtohet edhe ecuria e hetimeve të Policisë Postare italiane për të identifikuar autorët e sulmeve të javës së kaluar.
Njëri prej sulmeve goditi sistemet e ftohjes të rrjeteve të mëdha të shpërndarjes tregtare, ndërsa një tjetër shkaktoi dhjetëra alarme për bomba në hapësirën ajrore të disa vendeve europiane, përfshirë Italinë.
Autoritetet dyshojnë se pas këtyre dy episodeve mund të qëndrojnë autorë të ndryshëm. Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike ka identifikuar sektorët më të ekspozuar ndaj incidenteve dhe shantazheve informatike.
Nën monitorim të veçantë janë kompanitë prodhuese dhe teknologjike, institucionet shëndetësore dhe administrata publike, sidomos në nivel lokal.
Megjithatë, gjatë javëve të fundit janë zbuluar dobësi edhe në sistemet informatike të Montecitorios, selisë së Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian.
Në muajt e fundit janë regjistruar gjithashtu disa sulme ndaj kompanive që ofrojnë shërbime digjitale. Në këto raste, goditja e një ofruesi shërbimesh mund të ekspozojë njëkohësisht kompani të sektorit financiar, telekomunikacionit, transportit dhe teknologjisë.
Sipas ekspertëve, në shumicën e rasteve, posta elektronike mbetet një nga rrugët kryesore përmes së cilës hakerët arrijnë të depërtojnë në sistemet informatike./LaRepubblica/


