U pla'gos nga tre plumba, por nuk u dorëzua, kush është polici hero që përballoi sulmuesin në Krakov?

Aktualitet

U pla'gos nga tre plumba, por nuk u dorëzua, kush është
Një nga policët që u përball drejtpërdrejt me autorin e sulmit të përgjakshëm në Krakov të Polonisë është Jakub Kulik, një ish-ushtarak i forcave elitare ajrore, i cili u plagos rëndë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por arriti të neutralizonte sulmuesin së bashku me kolegun e tij, Artur Morański.

Kulik është kthyer në një nga emrat më të përfolur në Poloni pas ngjarjes së 7 nëntorit, kur një 24-vjeçar hapi zjarr ndaj kalimtarëve në sheshin kryesor të Krakovit. Sulmi la gjashtë persona të vrarë dhe 15 të plagosur.

Sipas raportimeve të mediave polake, Kulik dhe kolegu i tij, Artur Morański, ishin dy efektivët që u përballën drejtpërdrejt me autorin. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, të dy u plagosën rëndë. Kulik u godit nga tre plumba, ndërsa Morański nga një.

Pavarësisht plagëve, policët arritën të ndalonin sulmuesin, i cili u qëllua nga efektivët dhe u transportua në spital në gjendje kritike. Ai ndërroi jetë mëngjesin e së hënës, 9 nëntor, rreth orës 04:30.

Sipas autoriteteve, ndërhyrja e dy policëve mund të ketë parandaluar viktima të tjera.

Veprimi e polivëve kan marrë vëmendje të madhe në Poloni, ku mediat kanë pasqyruar guximin e dy efektivëve, ndërsa kryeministri Donald Tusk i ka cilësuar ata heronj për ndërhyrjen e tyre. Ndërkohë, për Jakub Kulik pati edhe një apel publik për dhurim gjaku, pas plagëve të rënda që mori gjatë përballjes me sulmuesin.

Kush është Jakub Kulik?
Jakub Kulik vjen nga qyteti Bielsko-Biała dhe, përpara se t'i bashkohej Policisë, kishte shërbyer në ushtrinë polake, në batalionin e 18-të ajror të Bielsko-s, pjesë e Brigadës së 6-të Ajrore.

Ai kishte shërbyer edhe në kufirin polako-bjellorus në vitin 2023, për më shumë se tre muaj. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat polake, ai iu bashkua Policisë rreth dy vite më parë.

Përveç karrierës ushtarake dhe policore, Kulik prej afro 10 vitesh është pjesë e zjarrfikësve vullnetarë në OSP Leszczyny. Kolegët e tij e përshkruajnë si një person që është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë të tjerët.

Kryetari i kësaj njësie, Władysław Szypuła, tha se nuk ishte aspak i habitur nga veprimi i Kulikut, pasi kjo ishte pjesë e karakterit të tij.

"Ai ka zemrën në pëllëmbë të dorës", u shpreh ai, duke shtuar se polici nuk u mendua gjatë për atë që duhej të bënte, por veproi menjëherë.

Çfarë ndodhi në momentet e përballjes me sulmuesin?

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, dy policët shkëmbyen zjarr me 24-vjeçarin, i cili ishte i armatosur me një armë të fuqishme zjarri. Pas përplasjes, njëri prej efektivëve arriti ta neutralizonte autorin, por pak çaste më vonë u rrëzua në tokë, pasi ishte plagosur.

Në ndihmë të policëve ndërhynë edhe dy kirurgë që ndodheshin rastësisht në një restorant pranë vendit të ngjarjes. Njëri prej tyre i dha ndihmën e parë Kulikut, duke i ndaluar gjakderdhjen në zonën e kraharorit. Sipas mjekëve, kjo ndërhyrje mund t'i ketë shpëtuar jetën.

Por çfarë tha vetë Jakub Kulik për momentin e përballjes?

Deri më tani, nuk është publikuar ndonjë deklaratë e drejtpërdrejtë e tij për atë që ndodhi gjatë shkëmbimit të zjarrit. Polici ndodhet në spital, ku po merr trajtim pas plagëve të marra. Ai u zgjua nga koma farmakologjike, ndërsa gjendja e tij është raportuar e rëndë, por e qëndrueshme.

Edhe kolegu i tij, Artur Morański, është zgjuar nga koma dhe po merr trajtim mjekësor.

Ndërkohë, drejtuesi i komisariatit ku shërbejnë të dy policët, Rafał Wełna, vlerësoi profesionalizmin e tyre, duke theksuar se ata u përballën me një kundërshtar të armatosur mirë dhe se veprimi i koordinuar i të dyve bëri të mundur neutralizimin e tij.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion