Trazira gjatë protestës në Tiranë, kundërshtuan policinë dhe shkaktuan dëme, arrestohen dy persona

Dy persona janë arrestuar në Tiranë pas protestës së zhvilluar më 27 tetor, përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, ku dyshohet se kundërshtuan punonjësit e Policisë, hodhën sende të forta dhe dogjën kazanë mbeturinash.
Në pranga kanë rënë shtetasit V. C., 49 vjeçe, dhe B. P., 27 vjeç, të arrestuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3.
Sipas Policisë, gjatë protestës, të dyshuarit kanë hedhur sende të forta në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit dhe kanë djegur kazanë për mbeturina. Si pasojë, është dëmtuar prona publike dhe është bllokuar qarkullimi në Rrugën e Durrësit.
Nga hetimet e mëtejshme, 27-vjeçari B. P. dyshohet gjithashtu se më 23 tetor ka vjedhur kasën e një motomjeti në rrugën “Abdi Toptani”, me vlerë rreth 1,000 euro.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Vjedhja”.


