Miell dhe drithëra nga Serbia e Rusia në tregun shqiptar, AKU pranon mungesën e kapaciteteve për kontrolle në kufi

Mbi 1.5 milionë tonë drithëra janë importuar nga Serbia dhe Rusia gjatë periudhës 2020–2025, duke i kthyer këto dy vende në furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar.
Por ndërsa importet arrijnë në qindra mijëra tonë çdo vit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk disponon kapacitetet e nevojshme për të garantuar kontrolle efektive në pikat kufitare. Inspektorët punojnë me dokumente shkresore, nuk kanë pajisjet e duhura për kontrollin fizik të ngarkesave, nuk verifikojnë në mënyrë të pavarur certifikatat e importit dhe nuk kanë akses të drejtpërdrejtë në sistemin elektronik doganor.
Sipas të dhënave të përpunuara nga KLSH, të konsultuara nga ekofin.al, gjatë gjashtë viteve, Serbia ka furnizuar tregun shqiptar me 890 mijë tonë drithëra, duke zënë vendin e parë në listën e vendeve të origjinës. Rusia renditet e dyta me 637 mijë tonë.
Së bashku, këto dy vende kanë eksportuar drejt Shqipërisë mbi 1.52 milionë tonë drithëra, ose rreth 60% të importeve totale të periudhës.
Pas tyre renditet Maqedonia e Veriut me rreth 183 mijë tonë, Ukraina me 128 mijë tonë dhe Greqia me 72 mijë tonë.
Kosova ka furnizuar tregun shqiptar me 59 mijë tonë, Italia me rreth 56 mijë tonë, Mali i Zi me 35 mijë tonë, Franca me 18 mijë tonë dhe Kanadaja me 17 mijë tonë.
Pesha dominuese e Serbisë dhe Rusisë në furnizimin e tregut shqiptar bëhet edhe më e rëndësishme në kontekstin e gjetjeve të auditimit, sipas të cilit mekanizmat e kontrollit të drithërave që vijnë nga jashtë Bashkimit Europian paraqesin dobësi të konsiderueshme.
Vetëm nga këto dy vende importohen mesatarisht rreth 255 mijë tonë drithëra në vit. Megjithatë, origjina e produkteve nuk përbën në vetvete provë për probleme me cilësinë apo sigurinë e tyre. Problemi që evidenton KLSH lidhet me aftësinë e institucioneve shqiptare për të verifikuar në mënyrë të besueshme sigurinë e këtyre importeve.
Mbi 427 mijë tonë drithëra në vit, por kontrollet mbeten kryesisht manuale
Sipas raportit, gjatë periudhës 2020–2025, në pikat e inspektimit kufitar janë lejuar të hyjnë mesatarisht 7,591 ngarkesa drithërash në vit, me një sasi mesatare prej 427,422 tonësh.
Kategoritë kryesore të importuara përfshijnë grurin për konsum njerëzor, grurin për kafshë, miellin, misrin për konsum njerëzor dhe atë për kafshë, elbin, thekrën dhe drithëra të tjera.
Por auditimi në pikat e inspektimit kufitar të Durrësit, Vlorës dhe Hanit të Hotit ka zbuluar se kontrolli dokumentar vazhdon të realizohet tërësisht në mënyrë manuale.
Certifikatat sanitare dhe fitosanitare, dokumentet doganore, deklaratat e importit, procesverbalet e kontrollit dhe dokumentacioni për marrjen e mostrave administrohen fizikisht, në dosje dhe regjistra.
Të dhënat mbi hyrjet e drithërave regjistrohen në tabela Excel, pa një bazë të dhënash të integruar dhe të standardizuar.
KLSH vlerëson se kjo praktikë rrit rrezikun e gabimeve, humbjes së informacionit dhe pamundësisë për të ndjekur në kohë reale ngarkesat e importuara.
Certifikatat e importit nuk verifikohen në mënyrë të pavarur
Një nga gjetjet më serioze të auditimit lidhet me mungesën e verifikimeve të kryqëzuara të dokumentacionit që shoqëron drithërat e importuara.
Sipas KLSH-së, inspektorët nuk kryenin kontrolle të pavarura për të verifikuar autenticitetin, vlefshmërinë dhe përmbajtjen e raporteve laboratorike dhe certifikatave të paraqitura nga importuesit.
Në praktikë, dokumentacioni merrej në konsideratë pa procedura të dokumentuara për krahasimin e tij me informacionin që disponojnë autoritetet kompetente.
Kjo krijon rrezikun që ngarkesat të pranohen mbi bazën e dokumenteve të paraqitura nga vetë operatorët ekonomikë, pa verifikim të mjaftueshëm të saktësisë së tyre.
Sipas audituesve, problematika është veçanërisht e rëndësishme për importet nga vendet jashtë Bashkimit Europian, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të furnizimit me drithëra të tregut shqiptar. /ekofin.al


