Tragjedi ajrore në SHBA, gjashtë të vd'ekur nga rrëzimi i avionit, mes tyre dy fëmijë

Një aksident tragjik ajror është regjistruar në brigjet e shtetit të Misisipit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një avion i vogël është rrëzuar në ujërat e Gjirit të Meksikës. Si pasojë, kanë humbur jetën të gjashtë personat që ndodheshin në bord, mes tyre edhe dy fëmijë.
Avioni i tipit Cessna 210 ishte nisur nga aeroporti Lakefront i New Orleansit dhe kishte si destinacion Fort Myers, në Florida. Ai u rrëzua pasditen e së martës, në zonën detare mes qytetit Pascagoula dhe ishullit Horn.
Sipas autoriteteve amerikane, në bord ndodheshin katër të rritur dhe dy djem, përkatësisht 8 dhe 10 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake të Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni po humbiste lartësi me një shpejtësi prej rreth 10 mijë këmbësh në minutë përpara se të rrëzohej në det. Kulla e kontrollit ajror në Mobile, Alabama, humbi kontaktin me avionin rreth orës 15:45, sipas orës lokale. Menjëherë pas kësaj u aktivizuan ekipet e kërkim-shpëtimit të Rojës Bregdetare amerikane.
Gjatë kërkimeve të para, ekipet zbuluan pjesë të avionit, përfshirë kabinën, tre jelekë shpëtimi dhe një gomone, por pa arritur fillimisht të gjenin pasagjerët.Pas disa orësh kërkimesh, zhytësit e Departamentit të Burimeve Detare të Misisipit arritën të lokalizonin trupat e pajetë të të gjashtë personave brenda trupit të avionit.
Roja Bregdetare amerikane e cilësoi ngjarjen si një tragjedi dhe shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) do të drejtojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit.
Deri tani nuk janë bërë publike identitetet e viktimave dhe nuk ka një përfundim zyrtar mbi faktorët që çuan në aksidentin fatal.


