26 punonjës të bllokuar në minierën e paligjshme, ekipet e shpëtimit në garë me kohën

Bota

26 punonjës të bllokuar në minierën e paligjshme, ekipet e
Të paktën 26 punonjës kanë mbetur të bllokuar në një minierë të paligjshme ari në ishullin Java të Indonezisë, pasi reshjet e dendura të shiut shkaktuan daljen nga shtrati të një lumi pranë zonës së minierës.

Ngjarja është regjistruar në distriktin Bogor, në provincën Java Perëndimore, ku ujërat depërtuan në galeritë nëntokësore të minierës gjatë mbrëmjes së së hënës, më 23 nëntor.

Sipas autoriteteve policore, në momentin e përmbytjes në galerinë e parë ndodheshin rreth 30 punonjës, 11 prej të cilëve arritën të dilnin në kohë. Ndërkohë, në një galeri të dytë ndodheshin edhe shtatë persona të tjerë. Numri i raportuar i personave që kanë mbetur të bllokuar është 26. Operacioni i shpëtimit është vështirësuar ndjeshëm për shkak të hyrjeve të ngushta të galerive, nivelit të lartë të ujit dhe rrezikut të rrëshqitjeve të dheut.

Ekipet e emergjencës, policia, zjarrfikësit dhe shërbimet e kërkim-shpëtimit po punojnë për largimin e ujit nga galeritë dhe arritjen te personat e bllokuar. Autoritetet kanë përdorur pompa për nxjerrjen e ujit, por përpjekjet janë penguar nga reshjet që vazhdojnë në zonë dhe nga depërtimi i vazhdueshëm i ujërave në tunele.

Sipas policisë së Java Perëndimore, në një thellësi prej rreth 30 metrash është konstatuar një hapësirë nga e cila uji vazhdon të depërtojë, duke krijuar gjithashtu rrezik për shembjen e galerive. Deri në momentin e raportimit, nuk kishte informacion të konfirmuar për gjendjen shëndetësore të personave të bllokuar dhe ekipet e shpëtimit nuk kishin arritur ende të konfirmonin kontaktin me ta.

Miniera ku ndodhi aksidenti ndodhet në zonën e Pongkorit, në territorin e një koncesioni minerar të kompanisë shtetërore Antam. Megjithatë, kompania ka sqaruar se aktiviteti i paligjshëm ku ndodhi përmbytja nuk lidhet me operacionet e saj.

Aksidentet në minierat e palicencuara janë një problem i përsëritur në Indonezi, ku shumë punonjës operojnë në kushte të pasigurta dhe pa standardet e nevojshme të mbrojtjes. Autoritetet vijojnë përpjekjet për të arritur te 26 personat e bllokuar, ndërsa situata mbetet e vështirë për shkak të kushteve atmosferike dhe rrezikut brenda galerive.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion