“Le të bëhet sfida”, Spiropali kërkon konkurrim për kreun e Partisë Socialiste

Elisa Spiropali ka bërë thirrje për hapjen e një gare të brendshme për drejtimin e Partisë Socialiste, gjatë mbajtjes së konferencës për mediat, pas përjashtimit të saj nga grupi parlamentar i PS-së.
Sipas Spiropalit, jo vetëm ajo, por edhe shumë të tjerë do të garonin për atë post, duke theksuar se askush nuk është i pazëvendësueshëm.
“E dua atë forcë politike sepse s’kanë lidhje ata me këto vendimmarrje fare.
Unë do të jem aty. Sfida është kjo, meqë qenka garë popullariteti, le të hapet gara socialiste pas 17 vjetësh. Jo vetëm unë, por shumë të tjerë do të garojnë për kreun e PS-së. Kush është i pazëvendësueshëm? Kjo logjikë ka sjellë këtë situatë, që s’ka lidhje me partinë, që të rinjtë po na tregojnë me gisht dhe po na tregojnë të gjithëve.
Le të bëhet sfida, a mund të jetë gara brenda PS-së? Le të garojmë”, u shpreh Spiropali.


