“Titullin botëror do e sjell në shtëpi” – Nelson Hysa ndez shqiptarët para sfidës me Agit Kabayel

Boksieri shqiptar Nelson Hysa ka ndezur edhe më shumë sfidën me Agit Kabayel, duke bërë një deklaratë të fortë, ku shpreh besimin se do të fitojë titullin e kampionit të botës në peshën e rëndë të WBC-së.
Përmes një mesazhi të publikuar, Hysa ka ftuar të gjithë shqiptarët që më 28 nëntor të jenë të pranishëm në Dyseldorf të Gjermanisë, në një natë që ai e cilëson historike për Shqipërinë.
“Do ta sjell titullin botëror në shtëpi!”, shkruan Hysa, i cili shpreson të triumfojë me ndihmën e Zotit dhe mbështetjen e bashkëkombësve të tij.
Boksieri shqiptar u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen në këtë ngjarje, për të treguar forcën dhe unitetin e tyre në arenën ndërkombëtare.
Në fund të mesazhit, Hysa i drejtohet drejtpërdrejt Agit Kabayel, duke e paralajmëruar për përballjen e shumëpritur: “Agit, po vij për ty… Bëhu gati!”
Sfida mes dy boksierëve ka ngjallur interes të madh, ndërsa 28 nëntori, Dita e Flamurit, është data që Hysa synon ta kthejë në një natë të paharrueshme për sportin shqiptar. Megjithatë, zhvillimi i duelit dhe vënia në lojë e titullit botëror të WBC-së mbeten për t’u konfirmuar zyrtarisht.


