Eurot e reja me fytyrat e shkencëtarëve dhe artistëve të mëdhenj, ja dy modelet që po shqyrtohen

Bashkimi Evropian po përgatitet për një ndryshim të rëndësishëm në pamjen e kartëmonedhave euro, të cilat prej më shumë se dy dekadash janë pjesë e përditshmërisë së miliona qytetarëve në kontinent.
Banka Qendrore Evropiane (BQE) synon që kartëmonedhat e reja të mos jenë thjesht një mjet pagese, por të përfaqësojnë më mirë historinë, kulturën dhe identitetin e përbashkët evropian.
Sipas një artikulli të revistës “The Economist”, në sytë e shumë qytetarëve, euro simbolizon më shumë sesa një bashkim ekonomik dhe monetar. Ajo përfaqëson gjithashtu një kulturë dhe mënyrë jetese të përbashkët, ndaj ndryshimi i pamjes së saj shihet si një mundësi për të përcjellë besim dhe unitet në të gjithë kontinentin.
Kartëmonedhat aktuale, të hedhura në qarkullim në vitin 2002 dhe të përditësuara në vitin 2013, paraqesin ura, porta dhe dritare imagjinare, të frymëzuara nga stile të ndryshme arkitekturore evropiane, nga ai romanik deri te rokoko. Ky koncept u zgjodh për të shmangur favorizimin e një shteti të caktuar dhe për të simbolizuar hapjen dhe lidhjen mes vendeve të Evropës. Megjithatë, me kalimin e viteve, dizajni është konsideruar nga kritikët si i ftohtë dhe pa shumë identitet.
Tashmë, Banka Qendrore Evropiane, nën drejtimin e Christine Lagarde, po shqyrton dy alternativa kryesore për pamjen e re të kartëmonedhave. Varianti i parë parashikon vendosjen e shpendëve dhe lumenjve në pjesën e përparme, ndërsa në pjesën e pasme do të paraqiten ndërtesa të rëndësishme institucionale të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe selinë e Bankës Qendrore Evropiane.
Alternativa e dytë është më e orientuar drejt historisë dhe trashëgimisë kulturore të Evropës. Në këtë variant, në kartëmonedha mund të shfaqen figura të njohura të shkencës dhe artit, si Marie Curie, fituese e dy çmimeve Nobel në fizikë dhe kimi, apo kompozitori i madh Ludwig van Beethoven, autor i Simfonisë së Nëntë, e cila përmban “Ode to Joy”, himnin e Bashkimit Evropian.
Përveç figurave të njohura, në pjesën e pasme të kartëmonedhave parashikohet të paraqiten skena nga jeta e përditshme kulturore, si koret muzikore, bibliotekat dhe sheshet e qyteteve, duke synuar të pasqyrojnë mënyrën se si kultura bashkon qytetarët evropianë.
Një tjetër element i rëndësishëm i këtij procesi është përfshirja e publikut. BQE ka kërkuar mendimin e qytetarëve për dhjetë modele të ndryshme dizajni, duke hapur diskutimin mbi atë që duhet të përfaqësojë realisht Evropa në kartëmonedhat e saj.
Debati ka marrë edhe një karakter humoristik në rrjetet sociale, ku qytetarët kanë propozuar ide nga më të ndryshmet. Mes sugjerimeve janë përmendur edhe barrierat e braktisura kufitare, shishet plastike me kapak të lidhur, si dhe dy DJ italianë në ballkon, duke bërë muzikë, pirë dhe shijuar momentin, larg shqetësimeve të botës.
Një tjetër propozim ironik ka qenë vendosja në kartëmonedha e një mesazhi automatik mungese në punë: “Kthehem në shtator”.
Ndërkohë, “The Economist” ka propozuar me humor një ide krejt tjetër: vendosjen e disa prej kryeministrave britanikë që kanë drejtuar Mbretërinë e Bashkuar që prej Brexit-it.


