“U tregoi bërrylin", debat mes Berishës dhe Ballës, socialisti: Hyp këtu e shih Durrësin...

Politikë

“U tregoi bërrylin", debat mes Berishës dhe Ballës,
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, ka hedhur akuza ndaj mazhorancës për korrupsion dhe abuzime me tenderat dhe lejet e ndërtimit.

 Berisha ka sulmuar edhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, për gjestin e bërë në stadium gjatë ndeshjes së Kombëtares, duke pretenduar se ai u kishte treguar bërrylin tifozëve që thërrisnin kundër kryeministrit Edi Rama.

Pas përfundimit të fjalës së tij, Berisha u largua nga salla e Kuvendit, ndërsa akuzat e tij sollën reagimin e Ballës, i cili iu përgjigj nga foltorja, ndonëse kreu i PD-së nuk ishte më i pranishëm.

Balla kundërshtoi interpretimin e gjestit të tij dhe sfidoi opozitën për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Ai deklaroi gjithashtu se Edi Rama nuk do të japë dorëheqjen dhe se socialistët synojnë të qeverisin deri në vitin 2030 dhe përtej.

Debati i plotë

Sali Berisha: Faktori tjetër shkatërrimtar është vjedhja që i bëni këtij vendi. Ju e mbështesni padrinon se jeni lëshuar si lukuni, në leje ndërtimi, në tendera. Shkoni aty, tenderat e Xhaferrit, se ti i njeh ata mirë. Sa tendera fitoi zonja Xhaferri e bandës së Elbasanit me ndërhyrjen e tij? Merrini ju regjistrat. I ndan të gjitha me të dhe ai nga shkallët e stadiumit u tregon bërrylin fansave kuqezi, sikur të ishte një pushtues i keq, një armik. Pse? Se me gjithë shpirt thërrisnin: “Rama ik, ik, qërohu!”

Pra, e kuptoni pozitën tuaj ju?

Taulant Balla: Zotëria ndaj të cilit do të bëja replikë u largua, por kam besimin që anëtarët e grupit të tij parlamentar do t’ia transmetojnë shumë mirë.

Unë di t’i ndaj shumë mirë të qenurit një tifoz futbolli apo të marr pjesë në mitingjet në mbrojtje të UÇK-së me rolin tim politik. Nuk i bashkoj ato kurrë, se të mbështes Kombëtaren apo mitingjet në mbrojtje të UÇK-së janë dy gjërat që dua më shumë pas pjesëve të tjera, sepse Kombëtarja e futbollit është krenari për ne dhe mbrojtja e UÇK-së është detyrë.

Sa i përket bërrylit, kush e ka lexuar ashtu, me përjashtim të tifozëve të Kombëtares, me të cilët jam gjithmonë bashkë, por pashë që e kishte lexuar Llapa Qorri, Saliu e ndonjë tjetër. Për ju lexojeni: “Hyp këtu e shih Durrësin”, sa herë të përdorni stadiumin për mesazhe politike.

Sali, Edi Rama nuk e jep dorëheqjen. Do të qeverisë Shqipërinë deri sa të përmbushim programin tonë 2030 e përtej dhe këtë e caktojmë ne, socialistët. Nuk e caktoni kurrë ju. Aq të lodhur jeni edhe nga protesta, sa nuk do të keni fuqi as të nxirrni kandidatët më 9 maj në Tiranë. Aq të lodhur jeni ju.

E ftoj PD-në të nxjerrë kandidatë politikë në zgjedhjet e 9 majit. Nuk ua mban.

Protesta ia ka arritur një qëllimi, juve ju përdhunoi

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion