“Teatri i Rilindjes” dhe “përrallat me luanë”/ Pankartat ironizojnë Braçen për votën pro reformës dhe Ramën

Protesta e 132-të kundër qeverisë në Tiranë është shoqëruar me mesazhe ironike dhe kritika ndaj kryeministrit Edi Rama dhe deputetit socialist Erion Braçe.
Një prej pankartave i kushtohej Braçes, duke vënë në dukje qëndrimin e tij kundër reformës territoriale përpara votimit dhe mbështetjen që i dha më pas në Kuvend.
‘Me zërin kundër, me votën pro, teatri i Rilindjes’, thuhej në mesazhin e protestuesve, që ironizonte kontrastin mes deklaratave të deputetit dhe votës së tij.
Në shënjestër të protestuesve ishte edhe kryeministri Edi Rama. Një pankartë tjetër përcillte mesazhin: ‘Nuk na bëjnë përshtypje përrallat me luanë, na intereson ku shkojnë paratë tona’.
Slogani duket se i referohet një videoje të publikuar së fundmi nga Rama në rrjetet sociale, ku ai fliste për sfidat dhe zhgënjimet, ndërsa në sfond shfaqej një luan.
Përmes këtyre pankartave, protestuesit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj vendimmarrjes politike dhe kërkuan llogaridhënie për përdorimin e parave publike.




