“Të duam shumë mami”, bluza me emrat e dy djemve te varri i Liridonës, rrëfimi prekës

Kosovë&Rajon

“Të duam shumë mami”, bluza me emrat e dy djemve te varri
Pas vendimit në shkallë të dytë për vrasjen e Liridonës, avokati i familjes, Leutrim Syla, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku rrëfen edhe një kërkesë të veçantë të dy fëmijëve, Dionit dhe Diarit, për nënën e tyre.

Në një mesazh të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, Syla ka rrëfyer edhe një moment veçanërisht prekës, kur dy fëmijët e Liridonës, Dioni dhe Diari, i kishin kërkuar që një bluzë e tyre, me emrat e të dyve, të vendosej te varri i nënës.

Sipas avokatit, kërkesa e fëmijëve u realizua dhe atyre iu dërguan fotografi nga varri i së ëmës, ku ishte vendosur bluza e tyre.

Ai tregon se një tjetër moment që e ka prekur thellë ishte takimi me Dionin, i cili e njohu si avokatin e nënës së tij dhe i tha: “Faleminderit”.

“U kaplova nga lotët, por u kurseva nga sytë e tij. Nuk kisha mundësi të bëja më shumë sesa ta përqafoja fort e t’i përkëdhelja kokën”, shkruan Syla.

Avokati shprehet se gjatë gjithë procesit ka ndjerë një përgjegjësi të madhe ndaj dy fëmijëve, të cilët prisnin drejtësi për nënën e tyre. Ai falenderoi gjyqtarët, Prokurorinë, hetuesit e policisë, ekspertët, mediat dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces.

Në reagimin e tij, Syla thekson se ky rast dëshmoi se askush nuk është i paprekshëm përpara ligjit, pavarësisht ndikimit apo mbështetjes që mund të pretendojë se ka.

“Lufta për drejtësi duhet dhe do të vazhdojë. Kjo kauzë ju bëftë dritë e përjetshme Liridonës, qetësi shpirtërore dy engjëjve e familjes së saj”, përfundon ai.

Postimin e tij, avokati e ka shoqëruar edhe me fotografi, duke ndarë publikisht emocionet e këtij momenti pas përfundimit të procesit gjyqësor.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion