Ekzekutimi mafioz në Athinë, shqiptari në kërkim, vikti'ma pjesë e një klani të njohur kri'minal

Bota

Ekzekutimi mafioz në Athinë, shqiptari në kërkim,
Policia greke ka bërë përparime në hetimet për vrasjen e 52-vjeçarit N. G., i cili u ekzekutua më 11 tetor 2026, pranë zonës së Golfit në Glyfada të Athinës. Autoritetet kanë identifikuar dy persona që dyshohet se kanë marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e atentatit, njëri prej të cilëve raportohet se është shtetas shqiptar.

Më 18 nëntor, policia arrestoi në Agrinio një 48-vjeçar grek, ndërsa një tjetër person i së njëjtës moshë është shpallur në kërkim. Mediat greke raportojnë se bëhet fjalë për një shqiptar.

Ndaj të arrestuarit rëndon akuza për bashkëpunim në vrasje me dashje. Pas paraqitjes përpara autoriteteve gjyqësore, ndaj tij është vendosur masa e paraburgimit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga hetuesit, 52-vjeçari ishte shënjestër e një sulmi të organizuar nga dy persona që lëviznin me motoçikletë.

Viktima, e cila gjithashtu udhëtonte me motor, humbi jetën si pasojë e plagëve të shumta të shkaktuara nga të shtënat me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi 10 gëzhoja, të cilat u morën për ekzaminim.

Hetuesit dyshojnë se autorët kishin siguruar paraprakisht edhe mbështetje logjistike për largimin e tyre pas krimit. Pikërisht në këtë pjesë të operacionit dyshohet se ishte përfshirë 48-vjeçari grek i arrestuar.

Analizimi i kamerave të sigurisë dhe provave të tjera ka ndihmuar autoritetet të identifikojnë shqiptarin e shpallur në kërkim, i cili dyshohet se drejtonte motoçikletën e përdorur gjatë atentatit.

Një element i rëndësishëm për zbardhjen e ngjarjes konsiderohet gjetja e motoçikletës së përdorur nga autorët.

Gjatë kontrolleve në disa banesa dhe automjete, policia greke ka zbuluar pjesë të motorit, i cili ishte çmontuar pas ngjarjes. Megjithatë, autoritetet nuk kanë arritur ende të gjejnë bllokun e motorit.

Gjithashtu, janë sekuestruar materiale digjitale dhe një kaskë që dyshohet se i përkiste njërit prej personave të përfshirë në atentat.

Sipas policisë greke, 48-vjeçari i arrestuar nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë. Ai kishte qenë më herët nën hetim për mbështetjen e veprimtarisë së një organizate kriminale dhe ndaj tij ishin vendosur masa kufizuese.

Lidhjet e viktimës me botën e krimit
Mediat greke kanë publikuar detaje edhe mbi të kaluarën e 52-vjeçarit, duke e lidhur atë me grupin kriminal të Giorgos Moschouris, i njohur me nofkën “Thamnakias”.

Moschouris u ekzekutua në prill të vitit 2025 në Chalandri të Athinës. Sipas raportimeve të asaj kohe, eliminimi i tij dyshohet se ishte porositur nga një organizatë kriminale rusishtfolëse.

52-vjeçari i vrarë në Glyfada ishte arrestuar në vitin 2015 për përfshirje të dyshuar në grupin kriminal të Moschouris. Ai kishte punuar gjithashtu në dy lokale të njohura të jetës së natës në zonën bregdetare të kryeqytetit grek.

Viktima njihej edhe si pjesëtar i tifozërisë së organizuar të Panathinaikosit dhe emri i tij ishte përmendur në disa episode të dhunshme.

Në vitin 2018, ai dyshohet se kishte plagosur me armë zjarri një tifoz të së njëjtës skuadër në stadiumin OAKA. Katër vite më vonë, në vitin 2022, ishte përfshirë në një tjetër incident të ngjashëm pranë ambienteve të tifozëve të Panathinaikosit, për të cilin ishte arrestuar dhe proceduar penalisht.

Përballja e tij e fundit me drejtësinë datonte në vitin 2024, kur ishte arrestuar për dhunë në familje dhe më pas ishte liruar me masa kufizuese.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për lokalizimin dhe arrestimin e 48-vjeçarit shqiptar, si dhe për identifikimin e personit që dyshohet se ka qëlluar ndaj viktimës.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion