Studimi: Përdorimi i telefonit nga prindërit në prani të fëmijëve mund të vonojë zhvillimin e të folurit

Përdorimi i shpeshtë i telefonit celular nga prindërit, veçanërisht gjatë kohës që kalojnë me fëmijët, mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e aftësive gjuhësore te të vegjlit. Ky është përfundimi i një studimi të realizuar nga studiues portugezë, të cilët kanë analizuar ndikimin e zakoneve digjitale të familjes në zhvillimin e të folurit te fëmijët parashkollorë.
Në studim morën pjesë 93 familje me fëmijë të moshës 3 deri në 5 vjeç. Rezultatet treguan se shpërqendrimi i prindërve nga telefoni, përdorimi i tabletëve nga fëmijët gjatë natës dhe disa modele të ndërveprimit prind-fëmijë lidheshin me zhvillim më të ngadaltë të aftësive gjuhësore.
Sipas studiuesve, kur prindërit janë të përqendruar për një kohë të gjatë te telefonat, pakësohen mundësitë për komunikim të drejtpërdrejtë me fëmijët. Kjo ndikon në kohën që u kushtohet bisedave, lojërave dhe aktiviteteve të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e gjuhës.
Ekspertët theksojnë se komunikimi i përditshëm luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve. Bisedat, këngët, lojërat dhe tregimi i përrallave i ndihmojnë ata të mësojnë fjalë të reja, të pasurojnë fjalorin dhe të përmirësojnë aftësitë e komunikimit.
Për këtë arsye, prindërve u rekomandohet të kufizojnë përdorimin e telefonave gjatë kohës që kalojnë me fëmijët dhe të krijojnë më shumë hapësira për komunikim e ndërveprim të drejtpërdrejtë.


