Tubimi i djeshëm në Tiranë/ Procedohen penalisht 10 persona, vendosen edhe 13 gjoba administrative

Nuk ka më të arrestuar për protestat që vijojnë të mbahen në kryeqytet, por ka gjoba dhe referime në prokurori për të vijuar hetimet në gjendje të lirë.
Të paktën ky është qëndrimi më i fundit i Policisë. Për protestën e së shtunës, gjatë së cilës pati përplasje me efektivët e rendit, zyrtarisht njoftohet se 10 protestues janë vënë nën hetim për veprime të paligjshme gjatë tubimit, ndërsa 13 të tjerë janë gjobitur në bazë të aktit normativ të hyrë në fuqi më 28 tetor.
Top Channel pyeti burime zyrtare pranë Policisë së Tiranës për të dhënat që prej datës 18 tetor, kur kulmuan protestat e dhunshme. Nga informacionet e siguruara rezulton se, që nga kjo datë, janë arrestuar 333 persona për veprime të dhunshme dhe goditje ndaj Policisë, shumica e të cilëve më pas janë lënë nga gjykata nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Nga të arrestuarit, 41 janë të mitur, nën moshën 18 vjeç.
Ndërkohë, 518 persona janë referuar për hetim në gjendje të lirë, nga të cilët 88 janë të mitur.
Sa u përket masave administrative, që prej hyrjes në fuqi të aktit normativ, i cili aktualisht është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, janë vendosur 338 gjoba. Ato janë argumentuar me veprime të dhunshme dhe pjesëmarrje të maskuar në tubime.
Nga ana tjetër, Prokuroria po heton të dyja palët, si protestuesit, ashtu edhe disa efektivë policie, të kallëzuar për veprime arbitrare.
Prokuroria ka thirrur gjithashtu për të administruar dëshmitë e qytetarëve të dëmtuar gjatë protestave. Njëri prej tyre është Erion Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur në sy dhe që pritet të pyetet më 25 nëntor.


