Mund të shpjegojë misteret më të mëdha të Universit, studiuesit zbulojnë provat e një ‘force’ të re në natyrë

Soft

Mund të shpjegojë misteret më të mëdha të


Forcat fizike natyrore janë në veprim në çdo moment të jetës tonë. Sipas eksperiencës së përditshme ato i ndajmë përgjithësisht në atë të gravitetit, elektromagnetizmit, forca e fortë dhe forca e dobët.

Por tashmë fizikantët e një laboratori pranë Chicago-s në SHBA, thonë se kanë zbuluar gjurmët e një force të pestë themelore të natyrës. Katër forcat themelore udhëheqin mënyrën sesi objektet e pjesëzat e Universit bashkëveprojnë me njëra-tjetrën. Graviteti i bën sendet të bien përtokë dhe objektet e rënda të sillen sikur janë të ngjitura me tokën.

Laboratori i shkencës e teknologjisë në Britani tha se rezultatet e reja janë “provë e fuqishme për ekzistencën e një pjesëze të re të pazbuluar nën-atomike, ose e thënë ndryshe, e një force të re.
Rezultatet e eksperimentit ‘Muon g-2’ ende nuk mund të quhen një zbulim i mirëfilltë, pasi ka shanse 1/40,000 që ai të jetë një bllof.

Prof. Mark Lancaster, drejtues britanik i eksperimentit, tha për rrjetin ‘BBC News’: “Kemi zbuluar se bashkëveprimi mes muon-eve nuk përputhet me Modelin Standard [teorinë e pranuar që shpjegon sesi sillen blloqet që krijojnë Universin].”

Studiuesi shtonte: “Kjo është qartazi shumë emocionuese sepse tregon për një të ardhme me ligje të reja të fizikës, me pjesëza të reja dhe me një forcë të re që nuk kemi parë deri tani”.
Zbulimi është në përputhje dhe në vazhdim të disa rezultateve premtuese nga laboratorët e pjesëzave në Japoni dhe së fundmi edhe nga super-laboratori fizik evropian ‘Large Hadron Collider’ në Alpet franko-zvicerjane.

Prof Ben Allanach, i Universitetit të Cambridge, i papërfshirë në kërkimet tha: “Me sa kam parë, kam përshtypjen se do të jetë i vërtetë”. “Gjatë gjithë karrierës time kam kërkuar për pjesëza apo forca përtej atyre që njohim deri tani dhe ky është momenti i parë që më ka emocionuar”.
Eksperimenti në laboratorin Fermilab në Batavia, Illinois, kërkon për fenomene të reja fizike duke studiuar sjelljen e një nën-pjesëze atomike të quajtur Muon.

Këto janë pjesë e ndërtimit të botës që ne njohim, siç janë pjesëzat që mund të përbëhen nga pjesëza të tjera më të vogla, ose të tjera që nuk mund të shpërbëhen më tej (pjesëza themelore).
Muon është një nga pjesëzat themelore, e ngjashme me elektronin, por rreth 200 herë më e rëndë.

Eksperimenti Muon g-2 përfshin dërgimin e pjesëzave në një unaza 14-metra të gjerë dhe më pas aplikimin e një fushe magnetike. Sipas ligjeve aktuale të fizikës që përbëjnë atë që njihet si Modeli Standard, kjo duhet të bëjë që muon-ët ‘të dridhen’ me një masë të caktuar. Por shkencëtarët zbuluan se muonët tronditeshin shumë më shpejt nga sa pritej, dhe kjo mund të shkaktohet nga një forcë e natyrës që është e panjohur nga shkenca.

Teoricienët besojnë se kjo mund të lidhet me pjesëza ende të pazbuluara nën-atomike, një prej të cilave është leptoquark, dhe një tjetër Z’ boson (Z-prime boson). Dr Mitesh Patel, i universitetit Imperial College London, i papërfshirë në studime, tha: “Ka një garë të fortë në eksperimentet për të zbuluar se kjo është vërtet diçka e re. Por do të duhen më shumë prova dhe testime.”
Një forcë e re themelore mund të shpjegojë disa nga misteret më të mëdha të Universit që kanë mbajtur të zënë shkencëtarët prej dekadash.

Një prej tyre është zgjerimi i pandalshëm i Universit, që deri tani i atribuohet energjisë së errët, edhe pse disa studiues thonë se është provë e forcës së pestë të panjohur./Tch

ME TE LEXUARAT