SHBA-ja dëbon dy anëtarë të delegacionit të Iranit në OKB

Qeveria amerikane dëboi dy anëtarë të delegacionit iranian në Kombet e Bashkuara, të cilët morën pjesë në Asamblenë e 81-të të Përgjithshme të OKB-së, pasi injoruan urdhrin për t’u larguar nga vendi, njoftoi të shtunën Departamenti i Shtetit.
“U konstatua se dy anëtarë të delegacionit iranian qëndronin ende në Nju Jork pas përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Tashmë ata janë dëbuar nga SHBA-ja”, deklaroi një zyrtar amerikan për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP), duke theksuar se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, “nuk bën shaka”.
Mediat amerikane raportuan se Departamenti i Shtetit i kishte kërkuar ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe delegacionit të tij të largoheshin nga vendi të hënën e kaluar. Megjithatë, Departamenti u informua nga delegacioni iranian në Kombet e Bashkuara se dy prej anëtarëve të tij vazhdonin të qëndronin në SHBA dhe më pas procedoi me dëbimin e tyre.
Sipas faqes së internetit Axios, një anëtar i delegacionit iranian u largua mbrëmjen e së premtes, ndërsa i dyti u largua nga SHBA-ja të shtunën në mëngjes.
Zyrtarë nga SHBA-ja dhe Irani ishin takuar javën e kaluar në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte refuzuar një propozim të Teheranit që synonte hapjen e Ngushticës së Hormuzit, por deklaroi për mediat amerikane se priste që bisedimet të rifillonin në ditët në vijim.
Agjencia iraniane e lajmeve IRNA raportoi se Teherani nuk ka planifikuar një raund të ri bisedimesh të drejtpërdrejta me Uashingtonin.


