Publikohet fotoja, kush është Odiseas Dimas, vëllai i atletit Pirro Dhima, që dyshohet se u jepte sportistëve dhe të miturit substanca dopingu

Aktualitet

Publikohet fotoja, kush është Odiseas Dimas, vëllai i atletit
Policia greke ka arrestuar 58-vjeçarin Odiseas Dimas, vëllain e Pirro Dhimës dhe trajner i peshëngritjes, i cili akuzohet se furnizonte dhe u administronte sportistëve substanca të ndaluara dopingu, përfshirë edhe djalin e tij të mitur.

Sipas autoriteteve greke, trajneri dyshohet se e ushtronte këtë veprimtari të paktën që nga prilli i vitit 2024, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në sport. Rasti më i rëndë lidhet me djalin e tij të mitur, sportist i peshëngritjes, të cilit dyshohet se i kishte dhënë një substancë të ndaluar gjatë një gare.

Në analizat e urinës së të miturit ishte zbuluar oksandroloni, një substancë e përfshirë në listën e ndaluar të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA). Për këtë rast, trajnerit i ishte dhënë një pezullim 12-vjeçar, ndërsa sportistit një pezullim prej 10 muajsh.

58-vjeçari u arrestua mëngjesin e 12 nëntorit, në një zonë të Atikës, pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut dhe Organizatën Kombëtare të Barnave.

Gjatë kontrolleve në banesën e tij dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 njësi me preparate farmaceutike dhe substanca dopingu, në formë tabletash dhe ampulash, 17 kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë, një telefon celular dhe 15 mijë euro.

Sipas Organizatës Kombëtare të Barnave, preparatet e sekuestruara nuk janë të autorizuara për tregtim në tregun grek dhe konsiderohen të dëmshme për shëndetin e përdoruesve.

Ndaj trajnerit është ngritur dosje për shkelje të ligjit mbi sportin dhe barnat e dëmshme. Ai është dërguar përpara autoriteteve kompetente të drejtësisë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion