SHBA nis lëvizjet para zgjedhjeve lokale, zyrtarja e DASH takon tre përfaqësues të opozitës, zbardhet fokusi i bisedimeve

Zyrtarja e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe përgjegjëse për Shqipërinë, Sarah Hutchison, ka zhvilluar një takim me tre përfaqësues të opozitës shqiptare.
Në takim kanë qenë të pranishëm Erald Kapri, deputet i Partisë Mundësia, Marjana Koççeku, ish-deputete e Partisë Socialiste, tashmë e pavarur, si dhe Nikola Kedhi, nënkryetar i Partisë Demokratike.
Hutchison, e cila mbulon marrëdhëniet diplomatike dhe dypalëshe të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, ka diskutuar me përfaqësuesit e opozitës mbi zhvillimet politike në vend.
Sipas burimeve, në fokus të bisedës kanë qenë protestat dhe zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, në një kohë kur skena politike shqiptare po përgatitet për një tjetër përballje elektorale.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi përmbajtjen e takimit dhe çështjet konkrete të diskutuara mes zyrtares amerikane dhe tre përfaqësuesve të opozitës.


