Pagesat me kartë më të lira që nga 1 janari 2027, Ibrahimaj: Kufizohen komisionet ndërbankare dhe përgjysmohen kostot!

Politikë

Pagesat me kartë më të lira që nga 1 janari 2027, Ibrahimaj:

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se nga 1 janari 2027 do të hyjnë në fuqi ndryshimet e parashikuara në Ligjin e ri të Pagesave, të cilat synojnë uljen e kostove të transaksioneve elektronike për bizneset dhe qytetarët.

Në një videomesazh, Ibrahimaj bëri të ditur se ligji i ri përcakton kufizimin e komisionit ndërbankar në 0,2% për kartat e debitit dhe 0,3% për kartat e kreditit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

“Pagesat me kartë po bëhen më të lira për bizneset dhe më të lehta për qytetarët! Nga 1 janari 2027, me Ligjin e ri të Pagesave, komisioni ndërbankar kufizohet në 0,2% për kartat e debitit dhe 0,3% për kartat e kreditit, sipas standardeve të Bashkimit Europian, duke ulur kostot e transaksioneve deri në 1,3%”, deklaroi Ibrahimaj.

Sipas saj, zbatimi i këtyre ndryshimeve do të sjellë përgjysmimin e kostove të transaksioneve për tregtarët, duke krijuar kushte më të favorshme për përdorimin e pagesave me kartë në aktivitetin e përditshëm tregtar.

Ministrja u ndal edhe te programi “Cashless Albania”, përmes të cilit po zgjerohet përdorimi i terminaleve POS në pikat e shitjes, me synim pajisjen e të gjithë tregtarëve që u shërbejnë konsumatorëve deri në dhjetor 2026.

“Përmes programit Cashless Albania, po zgjerojmë përdorimin e terminaleve POS, me qëllim që të gjithë tregtarët që u shërbejnë konsumatorëve të pajisen me këto pajisje deri në dhjetor 2026”, theksoi Ibrahimaj.

Ajo vlerësoi se ulja e kostove për bizneset, lehtësimi dhe siguria e pagesave për qytetarët, si dhe zgjerimi i përdorimit të instrumenteve elektronike, janë hapa drejt një ekonomie më moderne dhe transparente.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion