Rritet nafta, Bordi i Transparencës ndryshon çmimet e karburanteve për shqiptarët

Bordi i Transparencës ka fiksuar çmimet e reja të tregtimit të karburanteve me shumicë dhe pakicë në vend, të cilat do të hyjnë në fuqi këtë të mërkurë, datë 4 nëntor, në orën 14:00.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e sotme, çmimi i shitjes me pakicë i naftës (gazoil) do të jetë jo më shumë se 216 lekë/litër (204 lekë/litër me shumicë), ndërsa benzina do të tregtohet me pakicë jo më shumë se 172 lekë/litër (160 lekë/litër me shumicë). Autoritetet paralajmëruan pezullim aktiviteti për çdo operator që nuk zbaton kufijtë e caktuar.
Njoftimi:
Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar,
si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012,“Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 4 Nëntor 2026, vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 216 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 204lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 172 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 4 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.


