Plas sherri për buxhetin dhe protestat, deputetët e opozitës bojkotojnë mbledhjen e Komisionit të Medias

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Informimin Publik ka degraduar në një përplasje të fortë verbale dhe akuza të ndërsjella, duke përfunduar me braktisjen e sallës nga ana e opozitës.
Ajo që duhej të ishte një mbledhje thelbësore për diskutimin e projektligjit të buxhetit të vitit 2027, u kthye shpejt në një arenë debatesh e tensionesh politike.
Gjatë fjalës së tij, deputeti socialist Ardit Bido akuzoi ashpër opozitën se po e kthen parlamentin në një "zyrë shtypi", duke bërë vetëm deklarata "show" dhe duke shmangur detyrat reale si kontrolli dhe monitorimi i qeverisë.
Ai vuri në dukje kontradiktën e opozitës, e cila refuzon interpelancën me ministrin e Brendshëm në sallën e Parlamentit, por paralelisht kërkon me ngulm raportimin e tij në komision.
Apeli i tij për t'u përqendruar te buxheti, i cilësuar si ligji më i rëndësishëm i vitit, nuk mjaftoi për të qetësuar gjakrat.
Përgjigjja e kampit opozitar ishte e prerë. Duke theksuar se kërkesa e bërë prej javësh për raportimin e ministrit të Brendshëm ka mbetur pa përgjigje, përfaqësuesja e opozitës Jorida Tabaku deklaroi refuzimin e saj për të marrë pjesë në një mbledhje ku kërkesat e pakicës injorohen.
Menjëherë pas kësaj deklarate, ajo braktisi mbledhjen, duke ia kaluar drejtimin e saj deputetes socialiste Iris Luarasi.
DEBATI
Ardit Bido: ...në momentin që këtu ne në këtë komision mblidhemi dhe çdo herë, kemi nderin të kemi vetëm zonjën Bardhyli dhe ju, dhe asnjë deputet tjetër të opozitës. Sepse debati... po kur, ata e kemi, kemi një vit e saktë këtu. Kemi një vit e saktë këtu, kemi një vit e saktë këtu dhe nuk kanë qenë. Në momentin që parlamenti përdoret vetëm dhe vetëm për të bërë deklarata publike si të ishte një zyrë shtypi.
Dhe nuk merret nga ana e deputetëve të opozitës me punën e vet reale që është ligjet, kontrolli, monitorimi. Atëherë patjetër arrijmë në delegjitimim. Ju na folët për ministrin e brendshëm. Në momentin që ministri i brendshëm është në parlament për interpelancë dhe ju refuzoni që ta merrni këtë interpelancë, pastaj bëni këto deklarata show publike, duke kërkuar që ai të vijë nëpër komision që të raportojë.
Patjetër që arrijmë në delegjitimim. Sot ne kemi ligjin e buxhetit të shtetit. Është ligji më i rëndësishëm që kalon parlamenti në vitin e vet kalendarik. Në të përcaktohen jo vetëm se si do shpërndahen paratë mes institucioneve, investimet. Në të parashikohet se si ne do të arrijmë një shpërndarje më të drejtë, atë paqen sociale që ju ngritët me të drejtë. Dhe eja t'i debatojmë, eja t'i diskutojmë. Ka në këtë projektligj disa masa të cilat shkojnë në atë drejtim që ju keni ngritur zërin në vite të tëra, dhe këtë jua njoh. Nëse gjykoni se duhet të arrihen më shumë, keni ekspertizën, keni njohuritë, keni dhe aftësitë që ta ktheni këtë në një debat politik. Jo debat show, jo debat delegjitimimi, por debat politik.
Prandaj, si një thirrje personale ju kërkoj që të vazhdojmë me thelbin e mbledhjes së ditës së sotme, që është thelbi i mbledhjes së çdo komisioni, që është shqyrtimi i projektligjit për buxhetin e shtetit. Faleminderit.
Jorida Tabaku: Unë në fakt komentet e mia i bëra. Kërkesat e mia janë të qarta, për të diskutuar për një kërkesë që kemi rënë dakord me të drejtë që këtu e tre javë më parë, për raportimin e ministrit të brendshëm, që nuk ka kthyer përgjigje. Dhe kemi ripërsëritur edhe në emër të opozitës që ai të vijë të japë përgjigje.
Pastaj për temat e tjera nuk dua që ta vazhdojmë debatin sepse çfarë komentesh unë kisha i thashë. Por, në qoftë se ato nuk janë në rend dite, mua më vjen keq po nuk marr pjesë dot në këtë mbledhje. Faleminderit. Zonja Luarasi ka fjalën dhe vazhdon drejtimin e mbledhjes.
Iris Luarasi: Edhe një herë për ta sqaruar, unë sigurisht nuk pengoj asnjë njeri që të bëjë takime me grupet e interesit. Në momentin që ato bëhen në ambientet e kuvendit, do ishte në nderin e këtij komisioni që këto takime të bëheshin me të gjithë anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Në qoftë se ju jeni aq e zonja sa t'jua zgjidhni hallet gazetarëve vetëm, bujrum vazhdoni bëjeni. Po unë mendoj që kjo nuk është një gjë që mund ta bëni vetëm ashtu siç e thatë dhe vetë. Ne kishim rënë dakord që do thërrisnim ministrin.
Që nga ai moment ju nuk jeni paraqitur nëpër komisione, nuk kemi arritur të bëjmë seanca plenare, keni ardhur keni mbajtur fjalimin dhe pastaj jeni larguar.
Kështu që kjo nuk është mënyra... Tani të lutem unë po flas, të lutem mos fol në momentin që unë jam duke folur! Të lutem, ju thatë të gjitha ato të pavërteta edhe unë pata durimin që t'ju dëgjoj deri në fund, sepse e kemi me rradhë këtë muhabet. Këtu nuk po bëjmë debat televiziv, po bëjmë debat parlamentar. Debatin parlamentar e bëjmë këtu. Nuk e bëjmë as nëpër studio televizive, nuk e bëjmë as nëpër rrjete sociale.
Debatin e bëjmë këtu, prandaj ju ftova që të jeni këtu. Thatë një shifër që ka 1000 arrestime... dhe shoqërime, ju lutem... ju lutem nxirrini se kush jua jep shifrat. Unë ju thashë, me shifra të Ministrisë së Brendshme janë 328 arrestime, nga të cilat ju tregova se cilat janë të paligjshme dhe cilat janë që janë të ligjshme. Kështu që, për këtë arsye them që ta bëjmë këtë debatin. Ne duhet të rrimë këtu në këtë sallë, duhet të debatojmë.
Kemi elementin më të rëndësishëm sot në një vit parlamentar, diskutojmë buxhetin e shtetit për vitin 2025. Këtu mund të debatojmë, këtu mund të kritikojmë, këtu mund të japim argumente, këtu mund të ndryshojmë. Në qoftë se vazhdoni dhe lini vendet, vini vetëm për të mbajtur një fjalim, kjo nuk është opozitë edhe njerëzit...


