Rregulla të reja për mjedisin / Kufizohen ambalazhet plastike, detyrimet që prekin bizneset ushqimore dhe restorantet

Shishet e vogla të shampos në hotele, kutitë plastike të ushqimit në restorante dhe paketimet plastike të frutave e perimeve në supermarkete pritet t’i nënshtrohen kufizimeve të reja.
Ministria e Mjedisit ka hartuar një projektvendim që parashikon ndryshime në përdorimin e ambalazheve njëpërdorimëshe, me masa që nisin nga 12 shkurti 2028 dhe vijojnë deri në vitin 2030.
Sipas projektvendimit, nga 12 shkurti 2028, bizneset e shërbimit ushqimor, me përjashtim të mikrondërmarrjeve, do të duhet të ofrojnë alternativa në ambalazhe të ripërdorshme, në kuadër të një sistemi ripërdorimi.
Një vit më pas, nga 12 shkurti 2029, klientët do të mund të përdorin gotat e tyre për të marrë kafe dhe pije të tjera. Lokalet do të duhet t’i pranojnë ato nëse plotësojnë kushtet higjienike, pa aplikuar çmime më të larta.
Sipas projektvendimit, pjesa më e madhe e kufizimeve parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2030. Masat do të prekin baret dhe restorantet, ku synohet reduktimi i përdorimit të gotave, pjatave, tabakave dhe kutive plastike njëpërdorimëshe për ushqimet dhe pijet që konsumohen në ambientet e tyre, përfshirë hapësirat e jashtme.
Në projektvendim thuhet se “rregullat do të shtrihen edhe te paketimet plastike të porcioneve të vogla të sheqerit, salcave, erëzave dhe kremit të kafesë, ndërsa parashikohen përjashtime për raste të caktuara, përfshirë nevoja të veçanta higjienike dhe mjekësore”.
Në sektorin e hotelerisë, kufizimet do të përfshijnë ambalazhet njëpërdorimëshe të produkteve të higjienës personale, si shampot, locionet dhe sapunët e paketuar për një qëndrim të vetëm.
Projektvendimi synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me rregullat e Bashkimit Europian për ambalazhet dhe mbetjet e tyre.


