U prit me daulle, Berisha thirrje Ramës: Nuk janë dasme, por beteje

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Peshkopia se opozita e Lulzim Bashës i ka bërë fresk qeverisë gjatë 2 mandateve të Edi Ramës. Ai tha se demokratët kanë përgjegjësi për këtë dhe për këtë arsye po marrin përsipër që të ringrihen dhe për t’i qëndruar “dhëmbë për dhëmbë këtij regjimi”. Berisha iu drejtua Edi Ramës dhe duke iu referuar daulleve që e pritën në hyrje të Pallatit të Kulturës tha se ato daulle “nuk janë dasme, por beteje” ndaj tij.
“Sot Edi Rama ka bllokuar integrimin. Sot Edi Rama ka vrarë shpresën e shqiptarëve. Ku është opozita? Çfarë bëri opozita. Më falni për shprehjen, por opozita i bëri fresk qeverisë sepse nuk qe e aftë në mënyrë absolute përveç dekriminalizimit t’i imponojë asnjë nismë tjetër.
Nuk qe e aftë ta bllokojë në asnjë vendim tjetër. A kemi ne përgjegjësi për këtë? Në mënyrë të padiskutueshme. Ndaj edhe ne duke njohur përgjegjësinë tonë marrim përsipër të ngrihemi fuqishëm për të qëndruar si opozitë e pamposhtur, për të qëndruar dhëmbë për dhëmbë ndaj këtij regjimi që po spastron Shqipërinë nga shqiptarët.
Edhe njëherë i them Edi Ramës atë që i thashë në Kukës. Ato daulle nuk janë dasme, por beteje. Beteje dhe vetëm beteje. Do të përballësh me demokratët për të gjitha këto që ke bërë”, tha Berisha.


