“Pa Cakran nuk ka as Fier dhe as Mallakastër”/ Debate të forta në Komisionin e Territoriales

Dëgjesa e radhës në Komisionin për Reformën Territoriale në Fier është shoqëruar me debate të forta mes avokatëve Kujtim Cakrani dhe Idajet Beqiri, lidhur me përkatësinë administrative dhe historike të Cakran.
Gjatë fjalës së tij, Kujtim Cakrani kërkoi që Cakran të shpallet bashki më vete, duke argumentuar se zona ka rëndësi historike dhe ekonomike dhe nuk mund të lihet jashtë reformës administrative.
“Cakran duhet të bëhet bashki. Pa Cakranin nuk ka as Fier dhe as Mallakastër. Është identitet kombëtar”, deklaroi ai gjatë mbledhjes.
Në fjalën e tij, ai kritikoi edhe klasën politike, duke thënë se reforma duhet të marrë parasysh historinë dhe identitetin e zonave.
Por deklaratat e tij sollën reagimin e menjëhershëm të Idajet Beqiri, i cili mbrojti Mallakastër dhe kundërshtoi çdo ide për shkëputjen e fshatrave të Cakran.
Sipas tij, nëse Mallakastër humbet 11 fshatrat e Cakran, ajo do të dobësohej ndjeshëm ekonomikisht dhe historikisht.
“Po i hoqe Cakran, nuk mund të quhet më Mallakastër”, tha ai.
Debati ka rikthyer në vëmendje diskutimet për ndryshimet e mundshme në hartën administrative të vendit, ndërsa Komisioni vijon konsultimet me grupe interesi dhe përfaqësues lokalë.


