Edi Rama nga Dublini: Pa normalizim me Kosovën nuk ka shkëputje nga e kaluara / Integrimi gradual në BE, qasja e duhur

Politikë

Edi Rama nga Dublini: Pa normalizim me Kosovën nuk ka shkëputje nga e

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Dublin të Irlandës, me ftesë të Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), ku mban një fjalë përpara një audience ekspertësh të çështjeve europiane dhe të Ballkanit, si dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik.

Fokusi i takimit është rrugëtimi europian i Shqipërisë, nën temën “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”.

Rama: “Ekipi më kërkoi të zgjohesha në 6 të mëngjesit për të lënë Parisin dhe të mbërrij këtu për këtë bisedë. Mendoj ta bëjmë më pyetje dhe përgjigje, sepse mund të flas shumë gjatë. Jemi në një moment shumë përcaktues, sepse shohim jo vetëm horizontin, por edhe një derë të hapur si një mundësi reale për tu bërë pjesë e familjes europiane. Është moment kulminant, që nuk ka ekzistuar deri pak më parë. Gjërat që dukeshin të pamundura, ngjan se janë të mundura. Do ta kapim këtë moment dhe do të mund të kapërcejmë më në fund kufirin që na ka ndarë nga Europa prej shumë kohësh. Kjo është situata siç e shoh, në një moment kulmor, që nga ana jonë kërkon maksimumin për të përmbushur pritshmëritë e palës tjetër. Europa ka një proces të ndërlikuar vendimmarrje, kërkohen 27 vota. Aty ka një vend si Franca, që kërkon 2/3-tat e votave të parlamentit. Sot për sot jemi në rrugë të mbarë dhe çdo gjë po shkon sipas rregullave. Jemi dakord edhe me KE për këtë”.

Pyetje: Mendoni se 2027-ta është objektiv realist për mbylljen e negociatave dhe çfarë mendimi keni për integrimin gradual?

Rama: “Komisioni është i të njëjtit mendim, se fundi i 2027-ës është ambicioz, por i mundur. Integrimi gradual është diçka për të cilën unë vetë kam luftuar për kohë të gjatë para se një gjë e tillë të merrte formë. Jo vetëm, por edhe me kolegë të tjerë për t’i dhënë kuptim procesit të bazuar në meritë. Hendeku mes kandidatëve dhe anëtarëve sa i takon financave, ekonomisë dhe elementeve të tjera, hendeku bëhet gjithnjë e më i madh. Pranimi në mënyrë graduale është qasja e duhur. Plani i rritjes është pjesë e kësaj qasjeje”.

Pyetje: Si i shihni zgjedhjet në Serbi, më para ata konsideroheshin si bllokues të integrimit të Ballkanit. Ka mundësi të reja pas kësaj?

Rama: “Nuk është sekret se KE ka pasur probleme me qeverinë e mëparshme në Serbi. Çështje të shtetit të së drejtës dhe kërkesa të tjera thelbësore, por nga ana tjetër është shumë herët për të thënë diçka me saktësi me atë që vjen më pas. Serbia po kalon një eksperiment social me të ashtuquajturën Listë Studentore. Është diçka mjaft e re në shumë drejtime, por aq sa na takon ne shqiptarëve, duket se nuk ka ndonjë hapje sa i takon normalizimit me Kosovën, hapje për sanksionet me Rusinë apo ato që janë konsideruar si mbyllje me qeverinë e shkuar. Është ende herët. Nëse nuk ka normalizim me Kosovën, fantazma e së shkuarës do të vazhdojë ta ndjekë Beogradin”.

Pyetje: Kush e ka vizituar Shqipërinë, sheh ndryshime materiale. Ka rritje të PBB, por edhe shumë shqiptarë që largohen. Pavarësisht se keni qenë shumë të suksesshëm, shumë shqiptarë u larguan…

Rama: Migracioni një herë e një kohë ishte e vetmja zgjidhje që shihnin qytetarët shqiptarë, ishte mënyra më e mirë për të ardhmen edhe për irlandezët në rastin tuaj. Kjo nisi të ndryshojë kur Irlanda nisi t’i japë një zgjedhje mes largimit dhe qëndrimit, ky moment do të vijë edhe për ne. Është një botë e re që të rinjve ju shkon përmes ekraneve të smartfoneve me ngjyra të bukura. Është e vështirë për të rinj që jetojnë në malësi të vendosin mes një të ardhmeje 1 orë larg, sesa të presë 10 vite. Shqiptarët kanë qenë gjithnjë njerëz që lëvizin dhe për gjysmë shekulli nuk na lejonin të lëviznim, edhe kjo duhet konsideruar. Ka edhe njerëz që po kthehen, do të ekuilibrohet kur Shqipëria do t’i ofrojë njerëzve diçka të ngjashme me mesataren e BE”.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion