Nuk mori mandatin, Ilir Meta urdhëron nga burgu: Dua të verifikohet çdo votë që kam humbur!

Ilir Meta ka njoftuar nga qelia këtë të martë se ka firmosur udhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit në Partinë e Lirisë.
Nuk dihet nëse Meta është nxitur për këtë urdhër nga fakti që Partia e Lirisë nuk arriti t'i mbledhë votat e mjaftueshme për të hyrë në parlament, apo nga rezultati i dobët i kësaj force politike në mbarë vendin.
“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë, Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.
Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore”,- njofton Meta në rrjetet sociale.
Ilir Meta garoi në listën e hapur të PD-ASHM për Qarkun Tiranë, ku mori 7981 vota, jo të mjaftueshme për të hyrë në parlament


