Trump dhe Xi humbasin në bisedë, kryeministrja japoneze Takaichi mbeti e vetme pas tyre (VIDEO)

Në ditën e dytë të Samitit të APEC-ut, të zhvilluar në Shenzhen nën mikpritjen e Kinës, u regjistrua një moment që tërhoqi vëmendjen teksa liderët po largoheshin nga salla e takimit.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping dolën së bashku nga salla dhe vazhduan të ecnin pa pritur, ndërsa kryeministrja japoneze Sanae Takaichi u pa duke ecur e vetme pas tyre.
Takaichi po përjeton tensione me Pekinin për shkak të deklaratave të saj lidhur me Tajvanin.
Pamjet e regjistruara pas përfundimit të sesionit të liderëve, në ditën e fundit të Samitit të APEC-ut, nxitën komente se tensionet mes Japonisë dhe Kinës u reflektuan edhe gjatë samitit.
Edhe gjatë mbërritjes së saj në Shenzhen, një ditë më parë, Takaichi nuk ishte pritur me të njëjtin protokoll dhe vëmendje që iu kushtua liderëve të tjerë.
TRUMP DHE XI DOLËN TË PARË NGA SALLA
Në pamjet filmike, Trump dhe Xi shihen duke dalë të parët nga salla e takimit dhe duke vazhduar ecjen pa u kthyer pas.
Menjëherë pas tyre, Takaichi shihet duke dalë nga salla dhe duke ecur e vetme në një distancë pas dy liderëve.
EDHE NË RRESHTIN E FUNDIT NË FOTOGRAFINË FAMILJARE
Një pamje e ngjashme u vu re edhe në fotografinë familjare të realizuar gjatë ditës.
Sipas Reuters, ndërsa Xi, Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin shtrënguan duart në rreshtin e parë, Takaichi ishte vendosur në njërin skaj të rreshtit të pasmë.
Edhe në tryezën e samitit, ndërsa Xi ishte ulur pranë Trumpit, Takaichi ishte pozicionuar afër fundit të tryezës, shtatë vende larg presidentit kinez.
NUK U ZHVILLUA ASNJË TAKIM BILATERAL
Xi dhe Takaichi shtrënguan duart gjatë darkës së mirëseardhjes të së mërkurës në mbrëmje, si dhe gjatë ditës së sotme, por nuk zhvilluan asnjë takim dypalësh.
Japonia gjithashtu nuk u përfshi në samitin trepalësh të zhvilluar sot mes Trumpit, Xi Jinpingut dhe Vladimir Putinit.
Mediat koreano-jugore raportuan se Takaichi u kthye në vendin e saj si i vetmi lider mes pjesëmarrësve kryesorë të samitit që nuk zhvilloi një takim bilateral me Xi Jinpingun.
ARSYEJA E TENSIONEVE: DEKLARATAT PËR TAJVANIN
Tensionet mes Japonisë dhe Kinës nisën pas një fjalimi që Takaichi mbajti në parlamentin japonez në nëntor të vitit 2025.
Ajo deklaroi se nëse një operacion i mundshëm ushtarak kinez kundër Tajvanit do të kërcënonte ekzistencën e Japonisë, vendi i saj mund të reagonte edhe ushtarakisht.
Samiti i APEC-ut ishte vizita e parë e Takaichit në Kinë pas kësaj deklarate.
Sot, kryeministrja japoneze deklaroi se qëndrimi i vendit të saj ndaj Tajvanit nuk ka ndryshuar që nga viti 1972.


