Lajm i fundit/ Lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka lënë të lirë ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjicin.
Burime për mediat bëjnë me dije se togat e zeza kanë vendosur këtë të hënë lirimin e ish-kryebashkiakut për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të këtij të fundit. Me vendimin e ri, Safet Gjici do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi, ku do të jetë në nën mbikëqyrje.
Safet Gjici ra në prangat e Policisë më 24 qershor të vitit 2023 pas publikimit të video-skandalit ku shihej me Alma Kaçin duke kryer marrëdhënie intime në zyrën e ish-kryebashkiakut, në kohën kur dhe mbante postin e qytetarit të parë të Kukësit.
Fillimisht Gjykata e akuzoi Gjicin për veprën penale “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa Alma Kaçin për veprën penale “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Më pas togat e zeza vendosën të ndryshojnë akuzën për Gjicin duke e dënuar me 2 vite burgim si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite për “shpërdorim detyre”.
Ndërsa për Alma Kaçin u vendos akuza për ushtrim të prostitucionit duke u dënuar përfundimisht me 1 vit heqje lirie. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Alma Kaçi i kishte ofruar përfitime të parregullta Gjicit në formën e favoreve seksuale.
Ndërkohë, ashtu sikurse kemi njoftuar dhe më herët qëndrimi në qeli për ish-kryebashkiakun nuk ka qenë aspak i lehtë. Në qershor të vitit të kaluar ai u shtrua në një nga spitalet private të Tiranës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.