Ditmir Bushati i kthehet ashpër Ramës: Po strehon në PS ekzekutorë dhe politikanë që blejnë vota

Politikë

Ditmir Bushati i kthehet ashpër Ramës: Po strehon në PS

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili u la jashtë listave të PS nga kryeministri Edi Rama, zhvilloi këtë mbrëmje një bashkëbisedim me të rinj në një lidhje live në “Instastory”. Një prej të rinjve e pyeti Bushatin se “çfarë plani ka për të ardhmen dhe cili është mekanizmi që i bën partitë më demokratike?”

Në përgjigjen e tij, Bushati nuk i kurseu kritikat e forta për Partinë Socialiste, teksa tha se ka pranuar njerëz, që sipas tij, e kanë nisur karrierën politike në PD duke blerë vota, më pas kanë shkuar në LSI duke blerë vota, dhe tani i ofrohen PS për të blerë vota.

Më tej, ish-ministri tha se tre janë elementët kryesorë për një parti politike, si organizimi, boshti i vlerave programatike dhe rregullat e bashkëjetesës, duke shtuar se për fat të keq në këto vite edhe në PS ka pasur deformime të tyre.

“Planet e mia janë ato që i kam bërë publike dua të vazhdoj të kontribuoj në politikë. Dua të punoj për një PS, e cila ka në qendër të vëmendjes këto shqetësime që ngre unë, që kujdeset për interesin publik, që kujdeset për mirëqenien.

Për një PS që është partia e intelektit, që është një parti që punon për ekonominë, për një shoqëri tregu. Këto janë ato shtyllat kryesore, që e mbajnë një familje politike së bashku. Tre janë elementet: organizimi, boshti i vlerave programatike dhe rregullat e bashkëjetesës. Kemi parë për fat të keq këto vite, qoftë në PS, deformime të këtyre elementeve. Me keqardhje kam konstatuar dhe identifikuar, si dhe ndarë shqetësimet e mia në forumet e PS.

Njerëzit duhet të dinë për çfarë votojnë, votojnë për një parti me një program të caktuar, një ekip që është i gatshëm të marrë në dorë fate te tyre dhe një lider në krye të këtij ekipi.

Shqetësimi im kryesor ka qenë dhe mbetet me njerëz që e kanë krijuar karrierën politike në PD, duke blerë vota, më pas kanë shkuar në LSI, duke blerë vota, dhe sot i ofrohen PS, për të blerë vota.

Apo njerëz që e kanë nisur në partinë Demokristiane dhe sot janë me PS. Ne nuk mundet ta banalizojmë apo zëvendësojmë rolin e aktivistit politik me rolin e një interesaxhiu, që i ofrohet një partie thjesht dhe vetëm për të marrë një vend pune.

Unë do vijoj të bëj thirrje për respektimin e disa standardeve, për integritetin e tyre moral, profesional, dhe jo për të strehuar në listën e PS ato që i konsideroj ekzekutorët e gjakderdhjes financiare të këtij vendi.

Mendoj se përmes vetëkorrigjimit PS do të ishte dhe do të jetë edhe më e fortë”, tha ish-ministri Bushati.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion