El Niño alarmon shkencëtarët, parashikohen pasoja të rënda deri në vitin 2027: Deri në 451 mijë viktima shtesë

Një nga fenomenet më të fuqishme klimatike, i njohur si “El Niño”, pritet të intensifikohet gjatë muajve të ardhshëm, duke shkaktuar ndryshime të ndjeshme të temperaturave dhe reshjeve në mbarë botën. Shkencëtarët paralajmërojnë se bëhet fjalë për një episod potencialisht ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë, efektet e të cilit mund të shtrihen deri në vitin 2027.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), fenomeni është konsoliduar dhe pritet të fuqizohet më tej. Shqetësim të veçantë përbëjnë pasojat e mundshme në shëndetin publik. Një studim i studiuesve të Climate Impact Lab në Universitetin e Çikagos vlerëson se temperaturat ekstreme të lidhura me El Niño mund të shkaktojnë deri në 451 mijë vdekje shtesë nga qershori 2026 deri në shkurt 2027.
Ekspertët paralajmërojnë se ndikimet mund të marrin përmasa të një krize të rëndë shëndetësore, për shkak të valëve të të nxehtit, thatësirave të zgjatura, përmbytjeve, zjarreve dhe rrezikut të shtuar të përhapjes së sëmundjeve infektive.
El Niño është një fenomen natyror që karakterizohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave sipërfaqësore në pjesën tropikale të Oqeanit Paqësor. Ky proces ndikon në qarkullimin atmosferik dhe ndryshon modelet e motit në pjesë të ndryshme të globit. Si pasojë, disa rajone mund të përballen me temperatura ekstreme dhe mungesë reshjesh, ndërsa të tjera me shira të dendura dhe përmbytje.
Parashikimet e WMO-së sugjerojnë se fenomeni mund të vijojë të forcohet deri në fillim të vitit 2027. Kombinimi i ngrohjes rekord të oqeaneve me ndryshimet klimatike mund të shtojë më tej rrezikun, megjithëse ndikimet do të ndryshojnë nga një rajon në tjetrin, në varësi të kushteve lokale dhe stinës.
Përballë këtij skenari, ekspertët bëjnë thirrje për masa të menjëhershme përgatitore nga qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare, me fokus të veçantë te mbrojtja e popullatave më të rrezikuara nga temperaturat ekstreme, mungesa e ujit dhe pasiguria ushqimore.


