Plani për vr*sjen e biznesmenit në Athinë: Të arrestuarit nga Maqedonia e Veriut, pjesë e linjës së heroinës Turqi-Kosovë-BE

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me planin për vrasjen e një biznesmeni grek me origjinë hebraike në Athinë, për të cilin autoritetet kanë arrestuar pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Sipas informacioneve të publikuara nga televizioni grek SKAI, pesë personat ndodhen në paraburgim, ndërsa një tjetër i dyshuar vijon të jetë në arrati.
Hetimet kanë zbuluar se disa prej të arrestuarve kanë një të kaluar të rëndë kriminale, me përfshirje të dyshuar në trafik ndërkombëtar droge dhe sulme të armatosura.
Dy të arrestuar, të dënuar me 14 vite burg për trafik heroine
Sipas informacioneve të SKAI-t, dy prej të akuzuarve dyshohet se kanë qenë pjesë e një rrjeti kriminal që transportonte sasi të mëdha heroine nga Turqia, përmes Kosovës, drejt vendeve të Evropës Qendrore, konkretisht Austrisë, Holandës dhe Belgjikës.
Dy personat u arrestuan në Turqi në vitin 2010 dhe u dënuan me nga 14 vite burg.
Gjatë qëndrimit në burgjet turke, ata dyshohet se krijuan lidhje të ngushta me shtetas iranianë, marrëdhënie të cilat i ruajtën edhe pas lirimit në vitin 2020.
Këto lidhje janë bërë pjesë e hetimeve për planin e dyshuar të atentatit, i cili u parandalua nga Shërbimi Informativ Grek (EYP), në bashkëpunim me shërbimin homolog të Maqedonisë së Veriut.
Njëri dyshohet për sulmin e armatosur ndaj një pike policore në vitin 2015
Edhe një tjetër person i përfshirë në këtë çështje dyshohet se ka marrë pjesë në një sulm të armatosur ndaj një pike policore në fshatin Goshincë, pranë kufirit me Kosovën, në vitin 2015.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në atë sulm morën pjesë rreth 40 persona të armatosur, të cilët mbanin në veshje simbolet e UÇK-së.
Ata morën peng katër efektivë policie, të cilëve u morën armët dhe radiot e komunikimit. Ngjarja u cilësua si akt terrorist nga autoritetet.
I dyshuari në arrati kërkohet për vrasjen e një polici
Ndërkohë, personi i gjashtë, i cili ende nuk është arrestuar, rezulton të ketë një urdhër-arresti për vrasjen e një efektivi të forcave speciale të policisë së Maqedonisë së Veriut.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2008, kur një grup i armatosur organizoi një pritë ndaj njësisë speciale të policisë, të njohur me emrin e koduar “Tigrat”.
Si pasojë e të shtënave, një efektiv policie humbi jetën.
Sipas informacioneve të hetimit, personi që vijon të jetë në kërkim dyshohet se drejtonte automjetin e përdorur nga autorët e sulmit.
Hetimet për planin e dyshuar të vrasjes së biznesmenit në Athinë vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin plotësisht rolin e secilit prej personave të përfshirë.


