Operacion kundër bandës shqiptare në Francë, shkatërrohet grupi që grabiste banesa, 4 persona në pranga

Katër persona janë dënuar me nga tre vite burg, pasi akuzohen për një seri vjedhjesh në banesa në disa zona të vendit. Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin hyrë në banesa të ndryshme, nga ku kishin marrë sende me vlerë, duke shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.
Megjithëse të katër të akuzuarit kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen në këto ngjarje, gjykata vendosi t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë secilin me tre vite burg.
Vjedhjet kishin shkaktuar shqetësim te banorët e zonave të prekura. Në Turckheim, një prej banesave të shënjestruara kishte pësuar dëmtime në grilat elektrike dhe dritare. Autorët kishin përdorur edhe një darë për skarë, të marrë nga kopshti, për të depërtuar në banesë. Pasi kishin hyrë brenda, kishin përmbysur gjithçka, por nuk kishin arritur të vidhnin asgjë.
Një tjetër episod është regjistruar në Zimmerbach, ku pronarja e një banese ishte njoftuar nga fqinja se dritarja e shtëpisë kishte qëndruar e hapur për dy ditë.
“Kanë shkaktuar shumë dëme për shumë pak gjëra”, është shprehur një prej banoreve të prekura.
Raste të tjera vjedhjesh janë raportuar edhe në Labaroche, Munster, Porte-du-Ried dhe Rosières-aux-Salines, në rajonin Meurthe-et-Moselle. Mes sendeve të marra nga banesat përmenden bizhuteri dhe një konsolë lojërash PlayStation 5.


