Klosi sqaron vendimin e Asamblesë: Po, Spiropali dhe Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë

Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk do të jenë më pjesë e forumeve drejtuese të Partisë Socialiste, por do të vijojnë të mbeten anëtarë të partisë. Këtë e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, përmes një sqarimi të ri për mediat.
Edhe pse në përfundim të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare nuk u zhvillua votim për përjashtimin e tyre, Klosi ka konfirmuar se të dy nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të PS-së.
“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit tim pas Asamblesë ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë.
Por, në një parti si PS-ja, ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia. Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër, parimisht, për përjashtimin, u shprehën lirisht dhe, në mbyllje, gjithçka ishte e qartë.
Ky është fakti, ndërsa të tjerat janë konsum mediatik që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm tani që u bë natë. Nesër është një ditë e re dhe Partia Socialiste do të vazhdojë rrugën me frymën pozitive të kësaj Asambleje”, shkruan Klosi.


