Njëqind media franceze kërkojnë 1,4 miliardë euro dëmshpërblim nga ‘META’ për keqpërdorim të dhënash

Teknologji

Njëqind media franceze kërkojnë 1,4 miliardë euro

Kompania Meta, pronare ndër të tjera e Facebook-ut dhe Instagram-it, mund të detyrohet të dëmshpërblejë mediat franceze me një shumë totale prej 1,4 miliardë eurosh. Këto media e akuzojnë kompaninë për shkelje të Rregullores së Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR).

Konkretisht, 100 media franceze, mes tyre gazetat Le Figaro, Libération dhe L’Équipe, si dhe një numër i konsiderueshëm stacionesh televizive, përfshirë BFM dhe TF1, iu drejtuan drejtësisë franceze në prill të vitit 2025.

Ato pretendojnë se Meta i ka shfrytëzuar të dhënat personale që dispononte në një mënyrë të papajtueshme me legjislacionin evropian. Si rezultat, kompania fitoi një pozitë dominuese në tregun e reklamave.

Sipas vlerësimeve paraprake të qendrës amerikane të studimeve ekonomike Charles River Associates, kjo situatë u ka shkaktuar mediave franceze humbje të të ardhurave nga reklamat në vlerën e rreth 1,4 miliardë eurove.

Pas një padie të ngjashme të ngritur nga mediat spanjolle, një gjykatë në Madrid e detyroi grupin Meta t’u paguante atyre 479 milionë euro.

ME TE LEXUARAT