Nga Shqipëria drejt Spanjës për të grabitur vila, arrestohen katër shqiptarë

Aktualitet

Nga Shqipëria drejt Spanjës për të grabitur vila, arrestohen

Katër shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e autoriteteve spanjolle, pasi dyshohet se janë pjesë e një organizate kriminale të përfshirë në një seri grabitjesh në banesa luksoze në disa provinca të Spanjës.

Operacioni është zhvilluar nga Garda Civile në kuadër të hetimit të koduar “Corape 3.0”, i cili ka çuar në zbardhjen e të paktën 20 vjedhjeve me thyerje në banesa private në rajonin e Castilla y León.

Hetimet nisën në muajin korrik, pas dy grabitjeve të njëpasnjëshme në vilat e zonave Villamayor dhe Valdelagua, në provincën e Salamankës. Gjurmët e lëna në vendngjarje orientuan hetuesit drejt një grupi të organizuar, anëtarët e të cilit dyshohet se kishin ardhur nga Shqipëria me qëllim kryerjen e grabitjeve.

Sipas mediave spanjolle, grupi kishte një mënyrë të organizuar veprimi. Anëtarët ndryshonin shpesh vendqëndrim për të mos rënë në gjurmët e policisë, ndërsa përdornin një automjet luksoz me targa të ndryshme, disa prej të cilave të falsifikuara, për të vështirësuar identifikimin e tyre.

Pas disa muajsh hetime dhe vëzhgimesh, autoritetet arritën të lokalizonin vendstrehimin e fundit të grupit në një banesë në zonën e Valladolidit. Kontrolli i ushtruar me autorizim gjykate përfundoi me arrestimin e katër shqiptarëve.

Gjatë operacionit, efektivët sekuestruan një automjet luksoz tip Audi RS3, bizhuteri, ora, sende personale dhe para në cash, që dyshohet se ishin përfituar nga grabitjet. Në banesë u gjetën gjithashtu disa palë targa të falsifikuara, pajisje komunikimi dhe mjete të posaçme për thyerjen e dyerve dhe dritareve.

Autoritetet po punojnë gjithashtu për identifikimin e pronarëve të sendeve të sekuestruara, në mënyrë që bizhuteritë dhe objektet e vjedhura t'u kthehen personave të dëmtuar.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion